Banorët e fshatit Saraj dhe të fshatrave të tjerë të komunës së Sarajit, paralajmërojnë protesta ditët në vazhdim, pas aksidentit të djeshëm, kur një veturë kishte humbur drejtimin dhe nga autostrada kishte rënë në oborrin e një shtëpie. Kjo sipas banorëve, ka ardhur si pasoj e mungesës së masave mbrojtëse në autostradë dhe kjo situatë sipas tyre është vetëm në vendet ku banojnë shqiptarët.
“Ajo pjesa që është vetëm pak më poshtë vetëm 100-200 metër largësi, i kanë gjithë mjetet mbrojtëse, andej jetojnë maqedonas. Ndërsa, këndej nga kjo anë ku jetojmë ne, nuk ka mbrojtëse…do të ndërmarrim ndonjë aksion, do të bëjmë ndonjë protestë…ndodhin shpesh, çdo muaj ka nga një aksident”.
“Ka kohë që e kemi kërkuar këtë ne. E kemi kërkuar për shkak se këtu tek ne nuk kemi mbrojtëse për shkak që jemi shqiptar, ndërsa nga pjesa ku banojnë maqedonas edhe për kafshët kanë vendosur mbrojtëse, e për ne si njerëz familjar e me fëmijë nuk ka….Kemi bërë kërkesë dhe të njëjtën nuk na e kanë kthyer më”.
“Duhet të rregullohet ajo, sepse në anën tjetër kanë mbrojtëse. Ne po i shohin ato në autostradë…Kanë kërkuar ata që janë më të rrezikuar, mirëpo nuk i ka marrë parasysh askush fjalët e tyre”.
Banorët e shtëpive përreth autostradës tregojnë se sa të rrezikuar ndjehen ata dhe se kjo nuk ndodhë për të parën herë. Madje aksidente të ngjashme thonë ata ndodhin shumë shpesh. Edhe pse disa herë e kanë alarmuar komunën për këtë, ata thonë se as edhe një herë nuk kanë marrë asnjëlloj përgjigje prej tyre.
“Këtu duhet vendosur diçka patjetër sepse ja çfarë ndodhi. Mirëpo komuna nuk merë aspak masa…a komuna apo qyteti i Shkupit nuk e di, por patjetër duhet të vendosen sepse ka shtëpi, ka fëmijë, ndodhin shumë gjëra”.
“Këtu nuk ka asnjëlloj mbrojtëse, nuk janë duke intervenuar asgjë, as komuna dhe askush tjetër. Ja çfarë ndodhi, çfarë do që të bëhet më, njerëzit kanë ngelur me trauma…është shumë rrezik, kjo që ka ndodhur dje, mund të ndodh çdo ditë…këtu shpesh ndodhin, kanë ndodhur edhe shumë aksidente të tjera”.
“Unë jam fqiu i tyre, të hetohet kush ka pasur të drejtë. Ka rrezik prej aksidenteve të këtilla. Ka gabime edhe prej neve banorëve, por edhe prej vozitësve…Për fat të mirë nuk kishte viktima, as prej shtëpisë dhe as vozitësja”.
Një ditë më parë rreth orës gjashtë të mëngjesit, një makinë me targa të Serbisë kishte humbur kontrollin në autostradë dhe ka përfunduar në oborrin e një shtëpie që ishte afër autostradës në Saraj. Fatmirësisht aksidenti përfundoi pa viktima.