Avionët F-16 mbërrijnë në Ukrainë, Zelensky njofton ‘kapitullin e ri’ në luftën me Rusinë

Ardhja e avionëve luftarakë F-16 në Ukrainë shënon “një kapitull të ri” për Forcat Ajrore të vendit në luftën me Rusinë. Kështu u shpreh presidenti Volodymyr Zelensky teksa konfirmoi për herë të parë ditën e sotme se avionët luftarakë perëndimore kanë mbërritur në Kiev.

Marketing

Ukraina u ka kërkuar aleatëve që të transferojnë avionët F-16 që nga fillimi i luftës për të mbrojtur qiellin e saj nga raketat ruse, pasi kjo gjeneratë e avionëve mund të sigurojë mbulim ajror për trupat, të sulmojë objektivat tokësore, të sulmojë avionët e armikut dhe të përgjojë dronët spiunë.

“Kemi mbajtur qindra takime dhe negociata për të forcuar aftësitë e aviacionit dhe mbrojtjes sonë ajrore”, tha Zelensky, duke folur në një bazë ajrore jashtë Kievit. “Ne shpesh dëgjuam përgjigjen se ishte e pamundur. Tani është një realitet. F-16 janë në Ukrainë. Unë jam krenar për të gjithë njerëzit tanë që po i zotërojnë këto avionë dhe tashmë kanë filluar t’i përdorin ato për vendin tonë.”

Zelensky tha se u është mirënjohës partnerëve, dhe veçanërisht vendeve të para që pranuan kërkesën e Kievit.

“Falënderoj Danimarkën, Holandën dhe Shtetet e Bashkuara. Dhe për të gjithë partnerët tanë, ne e vlerësojmë mbështetjen tuaj. Tani është një kapitull i ri në Forcën Ajrore të Ukrainës. Ne kemi bërë shumë për të siguruar që Forcat Ajrore të Ukrainës të kalojnë në një standard të ri të aviacionit, avion luftarak perëndimor”, tha ai.

Zelensky tha se ai nuk mund të komentojë mbi misione specifike luftarake ose sa F-16 janë tashmë në Ukrainë, por tha: “Deri më tani, numri që është i disponueshëm në Ukrainë dhe numri i pilotëve që tashmë janë trajnuar nuk është i mjaftueshëm”.