Gjatë konferencës për ecurinë e çështjes në Dhomat e Specializuara në Hagë, mbrojtja e Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit ka ngritur shqetësime serioze për kushtet e komunikimit dhe vizitave në paraburgim.
Avokati i Veselit, Rodney Dixon, theksoi se ish-kryetari i PDK-së po përballet prej të paktën tre muajsh me vështirësi për të komunikuar me fëmijët e tij përmes telefonit, për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme në linjë.
“Zoti Veseli e ka të vështirë që të bisedojë me ta përmes telefonit sepse e ka ndërprerje të vazhdueshme,” tha Dixon, duke shtuar se kjo situatë është e papranueshme dhe ndërhyn në të drejtat e tij bazike, përfshirë përgatitjen e mbrojtjes, përcjell Insajderi.
Ai gjithashtu ngriti çështjen e vizitave në paraburgim, duke theksuar nevojën për njoftim paraprak më të mirë për të shmangur vonesat logjistike dhe pengesat në planifikim.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, i cili tha se edhe klienti i tij ka vështirësi të ngjashme për të komunikuar me të shoqen dhe djalin.
Mishetiq gjithashtu raportoi për një incident të fundit ku kishte pasur problem për të realizuar një takim me Thaçin, për çka ndërhyri Zyra Administrative për ta zgjidhur situatën.
Të dy avokatët kërkuan që këto çështje të trajtohen me prioritet dhe të sigurohet respektimi i të drejtave themelore të të pandehurve gjatë procesit gjyqësor.