Në një furgon dhe me përcjellje të disa makinave të policisë, Sasho Mijalkov nga paraburgimi u soll në gjykim në Gjykatën Penale. Në godinën e gjykatës hyri përmes garazhit.
Ish-drejtori i policisë sekrete për herë të parë sot u largua nga Shutka, pasi ishte arrestuar nëntë ditë më parë. Në sallën e gjyqit e pritën katër avokatët e tij dhe në publik ishin të pranishëm edhe shtatë anëtarë të sigurimit të tij personal.
Gjykata penale është nën siguri të shtuar policore. Salla e gjykatës ku po gjykohet Sasho Mijalkov sigurohet nga dy pjesëtarë të njësitit special, të armatosur deri në dhëmbë.
Është e pazakontë që pjesëtarët e njësitit special në vend që të jenë para dhe rreth gjykatës, të jenë edhe para sallës së madhe të gjykatës, në godinën e vjetër të gjykatës.
Avokatët e ish-shefit të policisë sekrete presin që Gjykata e Apelit ta lirojë atë nga paraburgimi. Megjithatë, ende nuk është caktuar seanca publike në këtë gjykatë. Mbrojtja, nga ana tjetër, hedh poshtë pretendimet e Prokurorisë Speciale, se Mijalkov posedon 11 milionë euro në dy llogari, edhe pse ata ishin në emra të dy personave të tjerë.
Avokatët gjithashtu mohojnë se ai ka lidhje me derdhjen e këtyre parave në llogari në Monako, që ishte një indikacion për PSP-në, se Mijalkov ishte duke u përgatitur për arratisje, dhe gjykata më pas kishte urdhëruar 30 ditë paraburgim.
Vendimi i plotë apo dispozitivi në vendim është bërë në bazë të supozimeve. Z. Mijalkov nuk ka të bëjë fare me këtë transaksion financiar, as për shumën që përmendet- deklaroi Petar Vasilev- avokat i Sasho Mijalkovit.
Sot Mijalkov u gjykua për rastin “Thesari” në lidhje me shpërdorimin e mbi 800 mijë eurove, gjatë prokurimit të pajisjes për përgjim, përmes kompanisë “Finzi”. Ajo ishte në pronësi të Kosta Kërpaçit, i cili kreu vetëvrasje. Përveç Mijalkovit, tre persona të tjerë janë akuzuar në këtë rast, mes tyre është edhe ish-nëpunësi i shërbimit sekret, Goran Grujevski, i cili është arratisur në Greqi.