Në Gjykatën Penale sot dhe nesër vazhdojnë fjalët përfundimtare të palës mbrojtëse për rastin e PPS-së “Trust”.
Avokati i të akuzuarit Sead Koçan, Mile Petrovski, tha se nuk është e vërtet se i pandehuri ka shkelur procedurën e thirrjes publike për të fituar tenderin për gërmim në vlerë prej 17 milionë euro në Kompaninë shtetërore “ELEM” dhe njëherit hodhi poshtë pretendimet e PPS-së se tenderi është fituar me dokumente të falsifikuara për pronësi të makinerive ndërtimore, që ka qenë edhe kusht për të fituar.
Avokatët në fjalët e tyre përmbyllëse theksuan se kjo aktakuzë është ngritur në bazë të supozimeve të PPS-së e jo në bazë të gjendjes reale dhe provave. Thanë se gjithçka është kryer në përputhje me dispozitat ligjore. Në seancën e kaluar prokurorët publikë kërkuan konfiskim të pasurisë prej 17 milionë euro nga firmat “Transmet” dhe “Sileks Nemetali”, që sipas tyre tenderi është fituar në mënyrë joligjore.
Gjithashtu prokuroria njoftoi se Safet Vasiq më nuk do të jetë i akuzuar si kryerës i veprës së bërë, por do të gjykohet si ndihmës, sepse është konstatuar se ai ka kryer vetëm “veprime ndihmëse”.
Sead Koçan për “Trust” nuk përfundoi në paraburgim si rezultat i garancisë së dhënë financiare prej 900 mijë eurosh dhe për shkak të bllokimit të xhirollogarive të kompanive të tij për t’u mbrojtur në liri. Pas fjalëve përmbyllëse të palës mbrojtëse pritet të shqiptohet aktgjykimi për rastin “Trust”.TVM2