Avokati i Ronaldinhos: Ai është budalla, nuk e dinte që kishte pasaportë të falsifikuar

Avokati i vet mbrojtës, Adolfo Marín e ka quajtur Ronaldinhon budalla, duke thënë se legjenda braziliane nuk e dinte se po kryente krim kur u kap me dokumente të falsifikuara në Paraguai.

Marketing

Ronaldinho dhe vëllai i tij, Roberto Assis, dolën para gjykatës të shtunën, nën akuzat se kishin përdorur pasaporte të rreme për t’u futur në kryeqytetin e Paraguait, Asuncion, të mërkurën.

Një fotografi e pasaportës paraguaiane me emrin e Ronaldos
Dyshja braziliane u dërgua në paraburgim të premten, pak orë pasi gjykatësi e refuzoi propozimin e prokurorit për ndëshkim alternativ.

Prokurori kishte argumentuar se vëllezërit brazilianë ishin mashtruar, gjë të cilën e thotë edhe avokati i Ronaldinhos, Marin. Ata mohojnë të kenë kryer ndonjë krim.

“Gjykata duhet ta kuptojë se Ronaldinho nuk e dinte se po kryente krim, sepse ai nuk e kuptoi se i kishin dhënë dokumente të rreme, ai është budalla”, ka thënë Marin në gjykatë.

Gjykata në kryeqytetin e Paraguait ka urdhëruar që Ronaldinho dhe vëllai i tij të mbahen në paraburgim deri në përfundim të procesit gjyqësor.

Në korrik të vitit 2019, Ronaldinhos iu konfiskuan pasaportat braziliane dhe spanjolle për shkak të mos pagimit të tatimeve dhe mos pagimit të gjobave për ndërtim të jashtëligjshëm në një vend të mbrojtur natyror në Brazil.