Avokati i shtetit përgatit padi kundër inskenuesve të rastit “SOPOTI” (VIDEO)

Avokati i Shtetit po përgatit padi kundër gjithë atyre që kanë marrë pjesë në inskenimin e rastit “Sopoti” dhe të njëjtit, do t’i obligojë që t’i paguajnë paratë që do t’i harxhojë shteti për dëmshpërblim të sopotasve të pafajshëm. Siç mëson TV Shenja nga burime brenda zyrës së Avokatit të Shtetit, Fehmi Stafa, në bazë të detyrës zyrtare, do të ngrejë padi kundër gjykatësve, prokurorit, si dhe agjentëve të DSK-së për të cilët dyshohet se janë të përfshirë në inskenimin e rastit “Sopoti”.

Marketing

“Avokati i Shtetit është i obliguar që të mbrojë interesat e Republikës së Maqedonisë, ndërsa gjykatësi i rastit “Sopoti” ka sjellë aktvendim i cili është i gabuar, me çka ka dëmtuar shtetin. Për të njëjtën vepër do të paditet edhe prokurori i rastit, si dhe pesë agjentë të DSK-së, të cilët gjithashtu janë të përfshirë në rastin “Sopoti””, thonë burime për Televizionin Shenja.

Paraprakisht, Avokati i Shtetit Fehmi Stafa, ka arritur marrëveshje për dëmshpërblim me palën mbrojtëse të banorëve të Sopotit të cilët u dënuan padrejtësisht. Sipas procedurave përkatëse, marrëveshja është dërguar në Qeveri, ku duhet të merret vendimi përfundimtar. Ende nuk është saktësuar shuma e dëmshpërblimit, por nga negociatat e deritanishme të Avokatit me familjarët, parimisht është arritur marrëveshje për dëmshpërblim prej 5 mijë e 500 denarësh, për një ditë të kaluar në burg, ose mbi 1,3 milion euro. Shuma fillestare që e kërkonin sopotasit ishte 2,5 milionë euro.

Dënimin me burg e vuajtën Sulejman Sulejmani, i cili tani është në moshë tejet të shtyrë, Samet Lutfiu, Hasan Klaiqi, Shaban Limani dhe Zenel Klaiqi, ndërsa njëri nga të akuzuarit, Samet Limani, nuk arriti që të pres përfundimin e procesit gjyqësor pasi ndërroi jetë. Sopotasve iu hap rruga për të kërkuar dëshmpërblim pas vendimit të muajit mars me të cilin Prokuroria Speciale tërhoqi akuzën pasi vlerësoi se personat e akuzuar janë të pafajshëm dhe ata tashmë janë gjurmëve të autorit të vërtetë të këtij rasti./SHENJA