Azemi: Ka mbet vetëm BDI me e mund veten!

Që opozita të fitojë në zgjedhje, kam mbet pra vetëm BDI me e mund veten! Duhet të provojmë, ta bindim disi BDI-në që “t’i lëshojë topat”, në mënyrë që rezultati i ndeshjes të jetë në favor të lojtarëve pa kondicion. Ndryshe si ta shpjegojmë këtë lojë në taborin opozitar, e cila jo vetëm që nuk po nxjerr ndonjë epërsi në fund të garës, por po e fajëson edhe publikun për mungesën e fitores (!)

Marketing

Nga Emin AZEMI
Në skenën politike të shqiptarëve të Maqedonisë, ka ende paqartësi se si do të zhvillohet gara zgjedhore, që pritet të ndodhë në muajin prill. Ata që duhet të bëhen bashkë, vazhdojnë të filozofojnë dhe të sillen sikur të jenë faktor të proceseve globale.

Ata që presin të them ndonjë fjalë tani për BDI-në, jo pse ajo është e pagabueshme , do ti zhgënjej, sepse nuk do të them asnjë fjalë, dhe më së paku ta fajësoj BDI-në se pse po i fiton zgjedhjet. Për me humb ajo, dikush duhet me e mund. Siç po shkojnë punët, ka mbet vetëm BDI me e mund veten, për me qenë në rregull me ata që kërkojnë të fitojnë pa u konsoliduar së brendshmi.

Është shkruar e folur shumë për (mos)bashkimin e opozitës shqiptare këtu në Maqedoni. Kjo është bërë me motive të sinqerta, nga dëshira që edhe këtu të ndodhë ndryshimi. Njerëzit e sinqertë e kanë kërkuar bashkimin e opozitës shqiptare, kurse vet opozita ka dashur njerëzve të sinqertë t’u shes mjegull.

Ende nuk është vonë që të ndodhë bashkimi, por të gjithë ata që mendojnë se ky bashkim mund të bëhet në mënyrë mekanike, e kanë gabim. Bashkimi, është më tepër se një ulje e përbashkët në tryezën e koalicioneve zgjedhore, për të shpërnda buzëqeshje protokollare përmes fotove, dhe më tepër se një operacion elektoral.

Që opozita të fitojë në zgjedhje, kam mbet pra vetëm BDI me e mund veten! Duhet të provojmë, ta bindim disi BDI-në që “t’i lëshojë topat në rrjet”, në mënyrë që rezultati i ndeshjes të jetë në favor të lojtarëve pa kondicion. Ndryshe si ta shpjegojmë këtë lojë në taborin opozitar, e cila jo vetëm që nuk po nxjerr ndonjë epërsi në fund të garës, por po e fajëson edhe publikun për mungesën e fitores (!). Në taborin opozitar shqiptar ka pesë parti politike, dy prej të cilave janë ende pjesë e pushtetit. Se sipas cilave kritere këto dy parti e llogarisin veten opozitë, këtë le ta shpjegojnë më mirë profesorët e shkencave politike, por neve na mbetet të trajtojmë efektet publike që shkakton trauma e të qenit pjesë e një kaosi që e prodhojnë vetë këto pesë parti edhe opozitare edhe opozitare-pushtetare.

Ka shumë njerëz që nuk pajtohen me praktikat dhe përvojat politike e institucionale të BDI-së dhe është shumë normale që mospajtimi të jetë adresë e njerëzve që zakonisht nuk janë të kënaqur me partitë në pushtet. Por ajo që nuk është normale, e që e komplikon edhe më tepër politikbërjen e shqiptarëve të këtushëm, është mungesa e një kohezioni të brendshëm kombëtar, që do të ishte më i fuqishëm se kapriçot politikaneske të grupeve e individëve të caktuar. Këta që merren me politikë, a po e kuptojnë se për çka po flasim? (koha.mk)