Në puntatën e mbrëmjes së sotme të programit “Dua të të bëj të lumtur” u trajtua historia e Marios, djalit nga Korça i cili për vite të tëra vuante dhimbjen e madhe të humbjes së motrës. Në studion e programit kishte ardhur mamaja e tij, Olgerta e cila rrëfeu historinë e dhimbshme të familjes së saj.
Për shkak të humbjes së papritur të motrës së tij, Mario ishte mbyllur në vetvete dhe për këtë arsye, Olgerta dëshironte që t’i jepte një mesazh force dhe kurajoje djalit të saj.
Kësaj nisme të veçantë të marrë nga nëna e Marios i ishte bashkuar dhe këngëtari tepër i njohur dhe i dashur për publikun, Stine. Por siç dihet në programin “Dua të të bëj të lumtur” është bërë traditë që personazhet publik nuk mund të largohen pa një surprizë.
Surpriza që programi “Dua të të bëj të lumtur” kishte rezervuar për Stinen ishin disa video-mesazhe nga vajza e tij e vogël, Estia. Surpriza e fundit që programi kishte për të ishte ardhja në studio e Estias e cila i dhuroi një trofe ku shkruhej “Babai më i mirë”.
Stine nga ana tjetër u surprizua shumë dhe rrëfeu momentin e parë kur zbuloi që ishte bërë baba. “Ishte surprizë se e kam çuar Gracielën në spital për kontroll. Atje zbulova që isha bërë baba dhe më thanë të të rrojë çupa.”,- u shpreh ai.
Gjithashtu Stine në studio tregoi se për të është tepër e rëndësishme që të kujdeset për vajzën dhe se gjithmonë e gjen kohën për të, pavarësisht angazhimeve që ka.