Babait nga Gaza ia vrasin 15 familjarë në shtëpi, teksa ai kërkonte bukë për ta jashtë

Një baba palestinez teksa u kthye në shtëpinë e tij në Rripin e Gazës, që është nën bllokadë dhe sulmet izraelite, pasi kishte dalë për të gjetur bukë, ai shpërtheu në lot kur mësoi se e gjithë familja e tij ishte vrarë.

Marketing

Sipas fotoreporterit të Anadolu-s, Ashref Amra, babai palestinez Naim Abu Seher dhe familja e tij u detyruan të linin shtëpinë e tyre në veri të Gazës dhe të strehoheshin në Deyr al-Belah, që ndodhet në pjesën qendrore, për shkak të sulmeve izraelite.

Babai palestinez Abu Seher u largua nga shtëpia herët në mëngjes për të gjetur bukë diku për të ushqyer fëmijët dhe nipërit e tij, pavarësisht sulmeve të vazhdueshme të Izraelit.

Ndërsa Abu Seher po kërkonte bukë, shtëpia ku ishte strehuar familja e tij u bë objektivi i një sulmi izraelit. Babai palestinez, i cili u kthye në shtëpi me bukën që gjeti, shpërtheu në lot kur mësoi se familja e tij ishte vrarë në sulmin izraelit.

Babai palestinez, i cili hodhi poshtë çantën me disa copa bukë që gjeti, u thirri njerëzve përreth tij: “Ku janë fëmijët e mi?”

Babai i mërzitur, i cili derdhi lot në varrimin e familjes së tij, tha: “Unë shkova t’u gjej bukë atyre (fëmijëve dhe nipërve). Kur u ktheva, pashë që të gjithë në shtëpi kishin rënë dëshmorë. Gra, burra, fëmijë dhe të moshuar”.

Në sulm u vranë 15 persona nga familja Abu Seher, duke përfshirë gra dhe fëmijë.

Sulmet izraelite nga njëra anë, uria nga ana tjetër

Izraeli që nga 7 tetori ka vazhduar sulmet ajrore, tokësore dhe detare në Rripin e Gazës, ku jetojnë rreth 2,3 milionë palestinezë.

Për shkak të sulmeve, 28.473 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe 68.146 palestinezë janë plagosur.

1,9 milion palestinezë në Gaza u zhvendosën për shkak të sulmeve ajrore, tokësore dhe detare. Për shkak të vështirësive të shkaktuara nga Izraeli, nuk mund të dërgohet ndihma e mjaftueshme në rajon. Palestinezët po luftojnë, nga njëra anë, me sulmet izraelite dhe nga ana tjetër, me urinë që thellohet çdo ditë.

Izraeli po e lë Gazën në rrezik të urisë

Kombet e Bashkuara (OKB) kishin paralajmëruar se 2,2 milionë njerëz janë në rrezik të urisë në Rripin e Gazës, i cili ishte nën sulm intensiv nga Izraeli.

Sipas OKB-së, 378 mijë njerëz në Gaza përballen me urinë e nivelit 5, e cila quhet “katastrofike”, sipas shkallës së Klasifikimit të Fazës së Sigurisë Ushqimore të Integruar (IPC), dhe 939 mijë njerëz përballen me urinë e nivelit 4, e cila njihet si “emergjencë”.

Raportohet se palestinezët, veçanërisht ata që jetojnë në veri të Gazës, janë të detyruar të konsumojnë ushqim për kafshët duke e bluar atë, sepse nuk mund të gjejnë miell.