Inxhinieri i diplomuar i bujqësisë Mehmet Fatih nga Turqia dhe vajza e tij Fejza Yilldiz 40 vjeçare kanë diplomuar në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin fakultet.
Në ceremoninë e diplomimit në Fakultetin e Shkencave Islame në Universitetin e Usaka kanë marrë pjesë Fejza Yildiz dhe babai i saj Mehmet Fatih, i cili kishte diplomuar në vitin 1978 në Fakultetin e Bujqësisë.
Fatih kishte punuar disa vjet në institucione publike pastaj ka shkuar në pension. Pavarësisht viteve dëshira për të mësuar gjithnjë ka qenë prezent.
“Vajza ime, nënë e dy fëmijëve është amvise. Dëshiruam që së bashku të studiojmë Fakultetin e Shkencave Islame. Në fakultet jemi regjistruar para katër viteve”, ka sqaruar Fatih.
Ai me vajzën kishin studiuar në të njëjtin drejtim, por në grupe të ndryshme. “Edhe pse të ndarë në ligjërata, gjithnjë kemi shkuar bashkë në shkollë. Vërtetë jam i lumtur që kam mundur të studioj me vajzën. Sot jemi të gëzuar që kemi diplomuar”, ka thënë Fatih.
Ai ka treguar se ka qenë një përvojë interesante që ka studiuar me kolegë shumë më të ri se ai.
“Kam mësuar shumë nga ata. Shpresoj se edhe ata kanë mësuar diçka prej meje. Këto kanë qenë ditë të bukura për mua. Faleminderit të gjithë profesorëve dhe kolegëve që më kanë ofruar mbështetje”. Ai në ceremoni ka mbajtur edhe një fjalim ku ka ftuar nxënësit që të punojnë shumë. Fejza Yildiz ka thënë se ajo dhe babai shpesh kanë mësuar bashkë dhe janë përgatitur për provime.