Balfur: Maqedonia të luftojë kundër përzierjes ruse në fushatën e referendumit

Në një intervistë për MIA-n, Roza Balfur, eksperte për zgjerim në Planin gjerman të Marshalit (German Marshall Fund – GMF) paralajmëron se të gjitha forcat në shoqëri, duke i përfshirë edhe gazetarët, duhet të japin përpjekje për t’u përballur me përzierjen e mundshme ruse në fushatën e referendumit.

Marketing

Balfur sqaron se, si në fushatat e tjera zgjedhore, Rusia me siguri do të tentojë të përzihet përmes zgjerimit të dezinformatave dhe lajmeve të rreme.

“Gazetaria duhet të punojë fuqishëm në kontrollin e fakteve, prezantimin e argumenteve alternative, sigurimin e analizave lehtë të kuptueshme për lexuesin, të jenë kredibile, të kenë burim, me rëndësi është të ketë mobilizim në të gjitha kategoritë të cilat merren me informimin dhe ndikimin ndaj mendimit publik. Kjo ndodh gjithkund, jo vetëm në Maqedoni, por kuptohet Maqedonia punon mbi themele më të brishta nga demokracitë e konsoliduara. Por këtë e pamë edhe në Britani të Madhe me fushatën për Bregzit. Përzierja ishte e madhe dhe duhet të gjithë sektorët e shoqërisë të mobilizohen. Kjo nuk është diçka që mund të zgjidhet përmes pasivitetit”, thotë Roza Balfur për MIA-n.

Marrëveshja për Greqinë, thotë ajo, është kthesë historike për Maqedoninë dhe për Greqinë, e cila do të japë shembull për kontestet e tjera në rajon. Sipas Balfur, do të jetë mirë që fushatën për referendumin ta mbështesin liderët evropianë në nivel më të lartë dhe ta kthejnë fokusin e rajonit, i cili një kohë të gjatë ishte lënë pas dore.

“Ajo që ndodhi në Ballkan viteve të fundit, gjithashtu, ishte rezultat i mospërkushtimit të vëmendjes nga ana e diplomatëve perëndimorë. Dhe tani tentojnë ta korrigjojnë këtë, mendoj se ka pasur vetëdijësim për këtë se, edhe pse bota ka shumë probleme, Ballkani mbetet rajon të cilit i duhet kujdes dhe vëmendje. Mendoj se kjo është e qartë”, thekson ajo.

Balfur paralajmëron edhe se nëse nuk kalon marrëveshja për emrin – qoftë në referendum, qoftë në parlamentin grek, ardhmëria do të jetë e brishtë për tërë rajonin.

“Çka nëse nuk ka sukses referendumi? Ka disa skenare: njëri është që të vazhdojnë gjërat sikur më parë, e ajo është politika e brishtë, brutale e Maqedonisë, e cila nuk përfshin implosion. Nëse pjesa e mbetur e rajonit nuk i zgjidh kontestet e saj, mungesa e marrëveshjes në Maqedoni mund të ketë efekt të eskalimit në Shqipëri, Kosovë, mund të ndezë konteste të tjera të pazgjidhura jostabilizuese. Kështu që rreziqet nga përkeqësimet do të jetë atje dhe do të vazhdojnë derisa nuk zgjidhen këto çështje. Për shkak të kësaj është akoma më me rëndësi që të kthehet fokusi i sukseseve nga kjo marrëveshje dhe të jemi të sigurt se populli në Greqi dhe në Maqedoni e kupton se sa është e rëndësishme kjo”, thekson ekspertja për zgjerim.

Sipas Balfurit, vendimi i Këshillit të BE-së që t’i ndajë datë të kushtëzuar për negociata Maqedonisë është zhgënjyes, por, kjo sqaron se duhet të pranohet realiteti i Bashkimit Evropian se ai është në krizë dhe se zgjidhja e krizës është në interes edhe për vetë Maqedoninë, kur ajo do të hyjë në Union.

Krizën në BE padyshim do ta ngadalësojnë procesin e zgjerimit, shton ajo, ndërsa vendet e rajonit do të kalojnë përmes një procesi të gjatë negociues, proces i cili do të duhet të rikonceptohet. BE-ja do të duhet të mendojë për akses të ri në të cilin vendet kandidate do të merrnin ndonjë përfitim nga anëtarësimi gjatë vetë procesit negociues, si për shembull akses tek fondet strukturore.

“Duhet të shikohet si plan afatgjatë. Dhe shpresoj se BE-ja në të ardhmen do të fillojë të mendojë për atë se si ta bëjë këtë plan afatgjatë. Nga liberalizimi i vizave, para dhjetë viteve, askush nuk ka shpikur asgjë që do të kishte rëndësi për qytetarët, dhe kjo duhet shumë shpejt të gjendet në axhendë”, thotë Balfur për MIA-n.

Në intervistë, kjo eksperte shumëvjeçare për zgjerimin dhe Ballkanin flet edhe për të ardhmen e BE-së, situatën mes Kosovës dhe Serbisë dhe rreziqet që i sjell administrata e re amerikane për rajonin dhe botën.