“Ballkani i Hapur”, Qeveria bën të ditur agjendën: Zaev do të kryesojë delegacionin në Tiranë

Edi Rama, Aleksandar Vuçiq dhe Zoran Zaev në Tiranë do të firmosin disa marrëveshje të tjera në kuadër të samitit dyditor të “Ballkanit të hapur”, e që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të qytetarëve, mallrave e shërbimeve. Kryeministri Zaev, pak ditë para deponimit të dorëheqjes, do të drejtojë delegacionin nga Shkupi. Liderët do të firmosin:

Marketing

Marrëveshjet e Ballkanit të Hapur:

Marrëveshje për krijimin e kushteve për qasje të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor,
Marrëveshje për ndërlidhje të skemave për identifikim elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor,
Bashkëpunim për veterinari, siguri dhe ushqim, ushqimin e kafshët dhe fushën fitonutriente,
Marrëveshje për njohje të ndërsjella të autorizimit të operatorit ekonomik për siguri (AEOS), Shqipëri – Serbi dhe Shqipëri – Maqedoni e Veriut.
Liderët do të takohen sonte për darkën e punës kurse në pjesën më të rëndësishme do t’u bashkohet edhe eurokomisioneri për zgjerim Oliver Varheji, gjatë ditës së nesërme. Zaev, Rama e Vuçiq, në prag të këtij takimi, kishin ftuar edhe një herë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen iniciativës.

“E shfrytëzojmë këtë mundësi që edhe një herë t’i ftojmë të gjithë fqinjët tanë të na bashkohen dhe t’u ofrojnë qytetarëve të tyre përfitimet që ua ofrojmë ne qytetarëve tanë. Përmes lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve, bashkëpunimi ynë mund ta nxisë tregtinë dhe ta lehtësojnë jetën e secilit individ në rajonin tonë”, thuhej në letrën e hapur të tyre.

Ndërkohë në Tiranë Vuçiq dhe Zaev priten me protesta. Sali Berisha ka thirrur në rrugë demokratët për të kundërshtuar, siç tha ai, aleancën që nxit destabilizimin në Ballkan, e vendos atë nën hegjemoninë serbe, duke e fuqizuar Serbinë dhe e bën Ballkanin zonë të hapur për ndikimet ruse./