Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama realizoi vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë. Në takim me kryeministrin Kurti u dakorduan për mbledhjen e radhës së dy qeverive në nëntor. Rama, nuk la pa përmendur edhe nismën “Ballkani i Hapur”. Tha se ai nuk mund të jetë i plotë pa njohjen e Kosovës, E shtoi se një hapësirë ku zbatohen 4 liritë e BE, është një hapësirë ku ka më pak vend për tensione që vijnë nga e shkuara. Përmendi nga Prishtina edhe rolin e rëdësishëm të shqiptarëve në RMV dhe mal të zi
“Ka qëlluar që të jem vëlla i madh në shtëpi dhe kam mësuar rrugës që me të voglin ka një problem. Kur i vogli ka një problem thotë ti i madhi duhet të më mbështesësh dhe kur i thua më dëgjo nuk më dëgjon. Unë nuk pretendoj që jam vëlla i madh këtu dhe aq më pak i Albinit, as ai vetë s’do ta pranonte që ta quante veten vëlla i vogël. ‘Open Ballkan’ është i vetmi drejtim strategjik që ne të mos ngecim, në mënyrë ciklike në baltën e të shkuarës dhe t’i marrim potencialit tonë maksimumin. Riprodhimi i historisë është një industri ballkanike e mirënjohur, por do ia lërë vendin saldimit të paqes. E gjithë kjo nuk mund të jetë e plotë pa njohjen e Kosovës, padiskutim. Një hapësirë ku zbatohen 4 liritë e BE në një Ballkan të Hapur është një hapësirë ku ka më pak vend për këto lloj tensionesh që vijnë nga e shkuara. Padiskutim që unë e kuptoj se Kosova e ka të nxehtë plagën dhe se historia është shumë e afërt, por forca duhet të jetë shumë e madhe për të parë më tutje sepse Kosova e ka fituar luftën. Pozicioni i ri dhe thelbësor i shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, jo vetëm si një faktor zhvillimi dhe stabiliteti por edhe si promotor të këtij zhvillimi dhe stabiliteti, po ashtu dhe roli thelbësor i shqiptarëve në Malin e Zi, janë të gjitha arsye që ne të ndjehemi të angazhuar dhe të motivuar për ta shpalosur deri në fund këtë potencial.”, tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.