Komisioni për sëmundje infektive ende nuk ka krijuar një protokoll se si qytetarët do të mund të udhëtojnë jashtë vendit pasi të hapen kufijtë. Në fillim të sezonit të verës, pushimet turistike mbeten në pikëpyetje. Komisioni Evropian ka propozuar hapjen e kufijve në 15 qershor, por me një protokoll që turistët do të duhet ta ndjekin. Sipas Odës Ekonomike të Turizmit, respektimi i masave themelore, përkatësisht mbajtja e maskës mbrojtëse dhe dezinfektimi mjaftojnë për të udhëtuar jashtë vendit.
Nuk duhet të ketë ekspozim shtesë ndaj pasagjerëve për kosto shtesë, si bërja e testeve. Sepse ato nuk janë garanci as se do të shkoni të infektuar jashtë vendit, ose se do të ktheheni të infektuar. Propozimet si tre ditë para udhëtimit të testohen, nuk janë garanci se nuk do të infektoheni në ato tre ditë, ne mendojmë se ato janë shpenzime të panevojshme – tha Emil Dimitrovski- Kryetar i Odës Ekonomike për Turizëm.
Një pjesë e shteteve evropiane dërguan mesazh për qytetarët që këtë vit pushimet verore t’i kalojnë në vendin e tyre. Organet kompetente tek ne me fushatën “S’ka si në shtëpi” do të tentojnë ta shpëtojnë turizmin nga goditja prej korona virusit.
Në vitin 2019-të, rreth 300 mijë turistë vendor kanë udhëtuar jashtë vendit. Në këtë moment, do t’u kisha apeluar që këtë vit këtë ta bëjnë në Maqedoni. Me këtë, jo vetëm që do ta arrijmë shifrën prej 1,6 milionë prenotimeve, por do të kemi më shumë se 2 milionë prenotime, dhe në këtë mënyrë do të ndihmohej sektori turistik tek ne – deklaroi Lupço Janevski- Agjencia për mbështetjen dhe promovimin e turizmit në Maqedoni.
Edhe pse kufijtë e pjesës më të madhe të shteteve në botë janë të mbyllura, Kroacia dhe Turqia zyrtarisht e hapën sezonin turistik. Shqipëria paralajmëroi fillimin e sezonit në fillim të qershorit, por janë duke u shqyrtuar parakushtet që do t’u vendosen eventualisht pushuesve. Greqia shpëtim të sezonit turistik sheh tek turistët ballkanik, por nuk dihet nëse edhe atje do të ketë leje për hyrjen e të huajve. Tek ne edhe më tej pritet vendimi nga Qeveria për hapjen e kufijve.