Banka Botërore dërgon 1.5 miliardë dollarë në Ukrainë për rindërtimin e vendit

Ukraina do të marrë 1.5 miliardë dollarë nga Banka Botërore, para këto që do të shkojnë për të mbështetur rindërtimin dhe rimëkëmbjen. Lajmin e bëri të ditur sot kryeministri Denis Schmihal .

Marketing

Fondet do të garantohen nga qeveria japoneze dhe do të kanalizohen për të mbështetur sigurimet shoqërore dhe zhvillimin ekonomik.

“Në përgjithësi, kredia do të ndihmojë në mbështetjen e subvencioneve për njerëzit që kanë ndryshuar vendbanimin brenda vendit dhe pagesat e pensioneve ,” shtoi Schmihal .

Ukraina mbështetet tek ndihma financiare e partnerëve të saj të huaj në mënyrë që të mbulojë deficitin e saj buxhetor.

Ministria e Financave njoftoi se ka marrë në qershor shumën prej 3 miliardë dollarësh për mbështetje buxhetore nga partnerët e Ukrainës, me 40% në formën e granteve.

Dje administrata e Fondit Monetar Ndërkombëtar përfundoi kontrollin e kredisë ukrainase, duke lejuar Kievin që të marrë menjëherë shumën prej 890 milionë euro për mbështetjen fiskale.

Qeveria shpreson për një rimëkëmbje të arsyeshme ekonomike këtë vit pasi ekonomia u tkurr me rreth një të tretën në vitin 2022 për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe po punon me partnerët e huaj për të siguruar fonde për një rimëkëmbje të ashtuquajtur “të shpejtë”.

Ukraina po rindërton shkollat, spitalet, rrugët dhe urat dhe po bën riparime në sektorin e energjisë, pavarësisht armiqësive të vazhdueshme në jug dhe lindje të vendit.