Banorët e fshatrave që gravitojnë rreth deponisë Rusino, sërish kanë bllokuar hedhjen e mbeturinave nga komunat e Pollogut. Arsyeja sipas tyre është neglizhenca e kryetarëve të komunave ndaj kërkesave tyre, të cilat, që prej 5 vitesh, vazhdojnë të qëndrojnë në sirtarët e regjionit planor të Pollogut, edhe përkundër premtimeve të përvitshme se punimet do të fillojnë. Banorët e Banjicës, shprehen me këtë rast se, perimet e fushave të tyre nuk i blen më askush, për shkak se e dinë që janë skajshmërisht të kontaminuara nga ujërat e notura të deponisë, që përfundojnë në fushat e tyre.
Para dy vitesh arritëm një marrëveshje me të nëntë kryetarët e komunave. Marrëveshja përbëhej nga 11 pika kurse pika e 12 u fut nga krerët për rrugën. Ata për këto dy vite nuk kanë bërë asnjë milimetër dhe nuk kanë implementuar asgjë nga këto 11 pika, kështu që ne do vazhdojmë me bllokimin. Pika kryesore është drenazhi, bien shira, ndizen mbetjet dhe ujërat e zeza përfundojnë në fushat tona. Nuk do lëshojmë pe derisa të fillohet me punë atje- pohoi Nebi Hasipi, Kryetar i këshillit kundër deponisë Rusino.
Duken prodhimet bujqësore se janë të kontaminuara, domatja qepa duket se janë me sëmundje. Askush nuk na blen prodhimet kur kuptojnë se janë nga Banjica- thotë një banor.
Kreu i komunës së Gostivarit Arben Taravari thotë se rreth 70 për qind e kërkesave të banorëve do të realizohen duke ndarë mjete gjitha komunat, por as Taravari nuk precizon se kurë do fillojë ky realizim.
Ne u mblodhëm të gjitha komunat e rajonit të Pollogut, dhe prej dhjetë pikave, pesë apo gjashtë i vendosëm në tenderim që të nisin të bëhen, me atë që për kokë banori secila komunë do të paguajë sasinë e nevojshme të parave dhe diku 70 për qind të kërkesave të banorëve do të plotësohen- deklaroi Arben Taravari, kryetar i komunës së Gostivarit.
Drejtuesi i regjionit planor të Pollogut, Fatmir Sahiti, i ka ikur përgjigjes së pyetjes nga televizioni Alsat se përse nuk ka filluar zbatimi i projektit zviceran për Rusinon. Ai në përgjigjen e tij me shkrin ka deklaruar se punimet do të fillojnë në shtator, duke mos shpjeguar arsyen e mosfillimit të deritanishëm.
Projekti për menaxhimin e mbeturinave në rajonin e Pollogut, përfshirë këtu edhe sanimin e deponisë rajonale “Rusino”, sipas standardeve ekologjike, është paraparë të fillojë në muajin shtator. Faza për përgatitjen e dokumentacionit teknik dhe zgjidhje e problemeve urgjente. Faza që përfshin aktivitetet ndërtimore ne deponine Rusino. Faza e pare, do te zgjat 24 muaj- tha Fatmir Sahiti, drejtues i regjionit planor të Pollogut.
Pas mosplotësimit të kërkesave të qytetarëve nga kryetarët e nëntë komunave të Pollogut dhe të Qeverisë banorët kanë dhënë edhe ultimatum. Nëse deri në vitin e ri nuk realizohen kërkesat e tyre që kanë të bëjnë me mbrojtjen e jetëve të tyre, ata do të bëjnë peticion për mbylljen e përhershme të kësaj deponie”.
Është pikërisht bllokimi i hedhjes së mbeturinave në Rusino nga ana e banorëve të Banjicës, pasoja e cila ka shkaktuar rritjen e sasisë së mbeturinave nëpër qytet dhe mos bartjen e tyre në vendin e duhur. ALSAT-M