Banorët e Çashkës vijojnë protestat kundër paraleles në gjuhën shqipe

Në shkollën fillore “Todor Janev” të Komunës Çashkë të Velesit as sot nuk kishte mësim. Banorët sërish protestuan duke përsëritur kërkesat e tyre, shfuqizimin e paraleles shqipe, rikthimin e kompetencave të arsimit Komunës Çashkë si dhe shqyrtimin e punës së drejtoreshes dhe Këshillit të prindërve. Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri tha çdo ditë e humbur nga mësimi është në dëm të fëmijëve. Ai shtoi se gjendja e krijuar në Çashkë dhe organizimi i protestave kundër mësimit shqip është nxitur nga persona të caktuar nga opozita maqedonase, duke aluduar te deputeti i VMRO-DPMNE-së, Igor Zdravskovski i cili pak ditë më parë personalisht mori pjesë në protesta.

Marketing

“Sipas informacioneve që kam unë mendoj që ka nxitje politike. E them këtë sepse edhe ju jeni dëshmitarë të një deklarate të një deputeti të opozitës i cili bën qoftë edhe thirrje për protestë dhe mbështetje të kësaj iniciative. Nga deklarata e deputetit të opozitës mund të shihet që thirrja e tij është kundër paraleles në gjuhën shqipe”, deklaroi Jeton Shaqiri, ministër I Arsimit dhe Shkencës.

Një ditë më parë, ministri i Arsimit Shaqiri vizitoi Komunën e Çashkës ku mes tjerash përfaqësuesve të prindërve u tha se hapja e paraleles shqipe është bërë duke respektuar të gjitha procedurat ligjore. Gjithashtu, pas takimit nga Këshilli i Prindërve thanë se nga ministri Shaqiri morën premtimin se do të rishikohet çështja e rikthimit të kompetencave të arsimit Komunës Çashkë në një periudhë sa më të shpejtë por duke kujtuar se bojkoti i mësimit do të vazhdojë edhe më tej para objektit shkollor. Në vitin shkollor 2023/24 në shkollën fillore “Todor Janev” në Çashkë mësojnë 210 nxënës prej të cilëve 65 janë nxënës shqiptarë të cilët janë të detyruar që mësimin ta ndjekin në gjuhën maqedonase për shkak të mungesës së paraleleve shqipe. /Alsat.mk