Vrasësi masiv nga Cetinja, Aco Martinoviq, kreu vetëvrasje pasi vrau të paktën dymbëdhjetë persona, njoftoi policia. Martinoviq, i cili ishte në arrati, u lokalizua nga policia pranë shtëpisë së tij në Cetinjë.
“Pasi policia e rrethoi dhe pasi e kuptoi se ndodhej në një situatë pa rrugëdalje, ai qëlloi veten dhe vdiq gjatë transportimit për në qendrën klinike,” deklaroi në një konferencë për shtyp drejtori i policisë, Lazar Shqepanoviq.
Ai shtoi se sulmuesi vrau të paktën dymbëdhjetë persona, por është e mundur që numri i viktimave të jetë më i madh. Katër persona janë plagosur rëndë. Ndër viktimat janë edhe dy fëmijë të moshës 10 dhe 13 vjeç, dhe të gjithë viktimat ishin miq të ngushtë, kumbarë ose të afërm të vrasësit.
Martinoviq e filloi krimin në një restorant në Velestov, pranë Qendrës Sportive. Pas një incidenti mes tij dhe një klienti, ai shkoi në shtëpi për të marrë pistoletën, u kthye në kafene dhe vrau katër persona atje.
Më pas, ai vrau anëtarët e familjes së tij dhe dy fëmijë të moshës 10 dhe 13 vjeç në tre lokacione të njohura. Shqepanoviq tha se motivi ende po përcaktohet.
Banorët e Cetinjës thonë se nuk mund ta përshkruajnë trishtimin që i ka goditur.
“Nuk e njihja shumë mirë vrasësin, punonte si mekanik. Mbrëmë në Cetinjë dëgjoheshin rënkime dhe të qara. Ende nuk jemi rikuperuar nga tragjedia që na goditi në vitin 2022, dhe tani kjo na ndodhi,” thanë banorët e Cetinjës, raporton Rina.
“Nuk zihej me askënd nga lagjja. Ishte i qetë, i sinqertë dhe i tërhequr. Çfarë ndodhi dje, askush nuk e di. A ishte alkooli apo diçka tjetër, nuk do ta mësojmë kurrë,” tha për agjencinë një nga fqinjët e parë.
Ai shtoi se Martinoviq ishte një mjeshtër i shkëlqyer për lyerjen e makinave dhe se nuk ishte i martuar.