Periudhën e fundit janë shtuar rastet e gjuhës së turpshme e komenteve tendencioze ndaj grave në jetën publike.Edhe pse në demokracitë e zhvilluara në pozicionet udhëheqëse janë gratë, e kundërta është në Ballkan, ato akoma luftojnë me stereotipat e ndryshme.
Rritja e numrit të grave nëpër ulëse parlamentare është vetëm iluzion, pasi barazia gjinore nuk ndryshohet në shoqëri.
“Mendoj që gjuha e urrejtjes kohëve të fundit po na brengos, pasi vjen jo vetëm nga mediat dhe rrjetet sociale, por edhe nga përfaqësues politikë, njerëz me ndikim e kështu me radhë. Pas këtij diskutimi erdhëm në përfundim që ky vit të shpallet vit i luftës kundër gjuhës së urrejtjes jo vetëm ndaj gruas politikane, por edhe e mbrojtjes së gruas në të gjitha funksionet publike që ushtron”,- deklaroi kryetarja e Klubit të deputetëve në Kuvendin e RMV-së, Gjylimsere Kasapi.
“Duhet të merremi më shumë me gjuhën e urrejtjes që del nga vetë ne politikanët. Kohët e fundit është krijuar një stereotip, i cili jo rrallë herë del nga politikanët, gjë që mund të nxisë akte të dhunës në shoqëri dhe desha të bëj një apel të madh që duhet pasur më shumë kujdes se çfarë flasim ne si politikanë, pasi siç thashë, ka shumë ndikim dhe reflekton në shoqëri dhe mund të ketë ndikime negative edhe në jetën e qytetarëve”,- tha kryetarja e Komisionit për mundësi të barabarta, Daniella Rangellova.
“Duhet të parashtrohet pyetja: A po garojnë gratë në një garë të gabuar, pasi fuqia nuk është në parlament, por në qeveri. Atje fatkeqësisht gratë janë të përfaqësuara shumë pak”,- theksoi një deputete në Kuvendin e Serbisë.
Këto komente u bënë në konferencën për bashkëpunimin rajonal në sferën e avancimit të barazisë gjinore dhe luftës kundër gjuhës së urrejtjes të organizuar nga klubi i deputeteve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Demokratik.