Barcelona triumfon sërish në Bernabeu, siguron fitore historike

Barcelona e ka fituar ndeshjen e dytë brenda katër ditësh kundër Real Madridit, në stadiumin Santiago Bernabeu. Këtë herë, skuadra e Ernesto Valverdes siguroi fitore me rezultat 1:0, në kuadër të La Ligës.

Marketing

Tri pikët e fituara nga kjo ndeshje bëjnë që Barcelona ta përforcojë pozitën e parë në tabelën e La Ligës, plot 12 pikë para “Los Blancos” e dhjetë pikë para Atletico Madridit, transmeton Gazeta Express.

Mirëpo , kjo fitore vjen edhe më e ëmbël për tifozët e katalonase pasi që 87 vjetëve, Barcelona ka arritur të ketë më shumë fitore nga El Clasicot sesa rivalët. Barcelona tani i ka 96 fitore nga El Clasicot, një më shumë se Real Madridi.
Golin e fitores për Barcelonën e shënoi mesfushori kroat, Ivan Raktici, i cili e mposhti portierin Thibaut Courtois në minutën e 26-të të ndeshjes.

Përkundër që pati vetëm një gol të shënuar, kjo El Clasico ishte po aq e zjarrtë sa pritej, pasi që të dy skuadrat krijuan raste vazhdimisht, të cilat megjithatë nuk arritën t’i shfrytëzojnë.

Kjo disfatë e shton mosbesimin e tifozëve të Real Madridit ndaj trajnerit Santiago Solari, pasi që ky rezultat vjen vetëm tri ditë pas eliminimit nga Kupa e Mbretit. Edhe atë disfatë, Real Madridit ia kishte siguruar Barcelona, duke e mposhtur me rezultat 3:0, po ashtu në Santiago Bernabeu.
As zënkat nuk munguan në këtë El Clasico, pasi që Sergio Ramosi dhe Lionel Messi i përplasën kokat, në fund të pjesës së parë të ndeshjes. Ramosi e kishte goditur me dorë në fytyrë dhe Messi nuk kishte qenë aspak i kënaqur me këtë veprim të spanjollit.

Real Madridi do të tentojë të kthjellet nga kjo disfatë në ndeshjen e radhës, në kuadër të Ligës së Kampionëve, kundër Ajaxit. Ndërsa, Barcelona tani do të përballet me Gironën, ndeshje kjo e vlefshme për Super Kupën e Katalonjës.