Delegacioni nga Qeveria e Maqedonisë, i drejtuar nga Ministri i Investimeve të Huaja, Bardhyl Dauti, Këshilltarja e Kryeministrit për bujqësi, Lençe Nikolovska dhe Këshilltarja në Kabinetin e Ministrit të Bujqësisë Nikica Baçovski, ishin në Tiranë ku zhvilluan takime me biznesmenë nga Shqipëria.
Qëllimi i vizitës ishte zhvillimi i bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e biznesit dhe prodhimit bujqësor, në organizim nga Fatos Mustafa, udhëheqës dhe CEO i Zyrës Ndërkombëtare “Consulting FM”.
“U takuam dhe biseduam me pronarët e kompanive që po investojnë tashmë në Maqedoni, por edhe me biznesmenë dhe kompani konsulentë që treguan interes të madh për zgjerimin e bizneseve tek ne si një mundësi për zhvillimin rajonal të kompanive nga sektorë të ndryshëm.
Këto takime janë një mundësi e mirë për ti njohur investitorët potencialë me avantazhet e ofruara nga qeveria jonë në tërheqjen e investimeve të huaja. Inkurajon përvojën pozitive të kompanive të cilat veçse më investojnë, siç është kompania farmaceutike Sagen. Investitori i parë nga Shqipëria në TIDZ Shkup 1 z.Isuf Berberi,nuk fshehu kënaqësinë e vendimit të duhur për të investuar në Maqedoni. Shpresoj që shembulli i tij të ndiqet nga biznesmenë të tjerë,”tha Dauti.
Delegacioni nga Maqedonia pati një takim me Odën Ekonomike të Tiranës, ku kryetari Nikolin Jaka,theksoi nevojën për veprim të përbashkët nga të dyja vendet si një mundësi për qasje më të lehtë në tregjet botërore.
“Maqedonia dhe Shqipëria nuk duhet të jenë konkurrentë në treg, por së bashku të luftojmë që me kualitet dhe kuantitet të përfitojmë tregjet e huaja. Kemi mundësi për këtë, kushtet të volitshme klimatike për zhvillimin më të madh të prodhimit bujqësor dhe shfrytëzimin e fondeve IPARD që do të kontribuojnë për modernizimin më të madh të prodhimtarisë. Nevojitet vetëm organizimi dhe ti bashkojmë kapacitetet,” tha ai.
“Ideja është e shkëlqyeshme dhe duhet të realizohet në interes të zhvillimit të ekonomive të të dyja vendeve”, tha Nikolovska, duke shtuar se në të ardhmen e afërt Qeveria do të takohet me biznesmenë nga Shqipëria, Maqedonia dhe përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për disa sektorë në mënyrë që të fillojë bashkëpunimi afatgjatë dhe strategjia e zhvillimit.
Gjatë vizitës dy-ditore në Tiranë, delegacioni nga Maqedonia gjithashtu vizitoi kompaninë “Agna Group”, e cila është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për ndërtimin e një fabrike për prodhime të ëmbëlsirave në Maqedoni, por ka konsiderata dhe dëshirë për investime të reja në më shumë fusha, nga ndërtimtaria deri në investimet eagro-sektorit.
“Për investime në agro-kompleks, si Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, krijojmë të gjitha kushtet e nevojshme për investitorët potencialë. Aktualisht ka shpallje për tokën shtetërore bujqësore e cila është e destinuar për investime, dhe gjithashtu kompanitë kanë mundësi ti përdorin mjetet nga fondet IPARD si dhe subvencionet nga buxheti i RM-së,” potencoi Baçovski.
Organizatori dhe nikoqiri, Fatos Mustafa, shfrytëzoi këtë mundësi për të informuar biznesmenët shqiptarë për përparësitë që Republika e Maqedonisë i ofron investitorëve.
“Janë duke u zhvilluar negociatat me ndërmarrjen “Donnie Fruits”, të cilët kohen e fundit kanë investuar në Shqipëri, për të zgjeruar biznesin e tyre në Maqedoni. Bëhet fjalë për një ndërmarrje serioze që merret me blerjen dhe shpërndarjen e produkteve bujqësore, përmes rrjetit të vet të shpërndarjes. Kjo është ajo që nevojitet për bujqit maqedonas, mbështetje për plasmanin. Vizita ishte e qëllueshme në të vërtetë sepse interesi i biznesmenëve është i madh dhe vitin e ardhshëm pres që të intensifikohet bashkëpunimi mes komunitetit të biznesit, me mbështetjen e qeverive të të dy vendeve,” tha Mustafa.