Barrikadat në veri: Dy të akuzuar e pranojnë fajësinë, shtyhet seanca

Barrikadat në veri: Dy të akuzuar e pranojnë fajësinë, shtyhet seanca

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në seancën fillestare në gjykimin lidhur me barrikadat më 2022 në Komunën e Zveçanit, është veçuar procedura për të akuzuarit Millosh Radosavljeviq dhe Dushan Dobraq, pasi kanë arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranim të fajësisë.

Paraprakisht, u bë e ditur se në seancë mungon i akuzuari Nenad Orloviq, si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Sërgjan Vuçiniq, avokati Bogdan Llaziq.

Në këtë rast, Dushan Maksimoviq, Millosh Radosavljeviq, Nemanja Joloviq, Dushan Dobrac, Sërgjan Vuçiniq dhe Nenad Orloviq, ngarkohen lidhur me akuzën për vepra penale kundër rendit kushtetues- saktësisht barrikadimin e rrugëve më 2022 në Komunën  e Zveçanit, raporton Betimi për Drejtësi.

Gjykatësi i rastit, Rrahman Beqiri tha se mungon i akuzari Nenad Orloviq, për të cilin Gjykata ka përsëritur urdhërarrestin dhe se nga raporti i Policisë i datës 27 gusht 2026, konstatohet se Policia kanë shkuar ta ekzekutojnë urdhërarrestin, por i akuzuari nuk është gjetur në vendbanim, kurse fqinjët kanë deklaruar se jeton në Serbi.

Po ashtu, mungoi edhe avokati Petroviq për të cilin i mbrojturi i tij Joloviq deklaroi se ka folur në telefon dhe e ka njoftuar se është përfshirë në një aksident në komunikacion.

Gjithashtu, mungoi edhe avokati i Vuçiniq, Bogdan Llaziq, i cili përmes e-mailit e ka njoftuar Gjykatën se nuk mund të jetë i pranishëm për arsye shëndetësore.

Ndryshe, prezent në gjykim ishin prokurori special, Admir Shala, i akuzuari Maksimoviq me avokatin Millosh Nikoliq, i akuzuari Milosh Radosavljeviq me avokatin Mahmut Halimi, i akuzuari Dushan Dobrac me avokatin Boban Petkoviq, i akuzuari Sërgjan Vuçiniq, i akuzuari Nemanja Joloviq, si dhe mbrojtësja e Orloviq, avokatja Donjeta Leka.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, në pikën e parë thuhet se nga 10 deri më 29 dhjetor 2022, në Komunën  e Zveçanit duke vepruar në bashkëkryerje, të akuzuarit Maksimoviq, Radosavljeviq dhe Joloviq, kanë marrë pjesë si antarë të grupit apo bashkimi për të kryer sulm kundër rendit kushtetues përmes përdorimit të forcës dhe dhunës.

Sipas aktakuzës, qëllimi ishte pengimi i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në vendosjen e rendit kushtetues, ushtrimin e autoritetit dhe kryerjen e detyrave zyrtare në komunat veriore. Ata thuhet se kishin vendosur barrikada në rrugën kryesore- konkretisht kamion të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca dhe automjete të tjera, kurse në afërsi të barrikadave edhe istikame. Po ashtu, thuhet se në rast të ndërhyrjes së Policisë së Kosovës, kanë qenë të gatshëm që t’i sulmojnë me mjetet në dispozicion.

Me këto veprime, të akuzuarit ngarkohen me veprën penale “Bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës” nga neni 127, paragrafi 2 lidhur me nenin 114, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)  lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Më tej, në pikën dy të aktakuzës ngarkohet i akuzuari Dushan Dobrac se nga data 10 e deri më 29 dhjetor 2022 në Komunë e Zveçanit, ka marrë pjesë si anëtar i grupit për të kryer sulm kundër rendit kushtetues përmes përdorimit të forcës dhe dhunës, me qëllim pengimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në vendosjen e rendit kushtetues, ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe kryerjen e detyrave zyrtare në komunat veriore.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kishin vendosur barrikada në rrugën kryesore, sikurse janë theksuar në pikën e parë të aktakuzës, dhe se nga veprimet e tyre në rast të ndërhyrjes së Policisë kanë qenë të gatshëm që të sulmojnë me mjetet në dispozicion.

Me këtë, i akuzuari Dobraq ngarkohet me veprën penale “Bashkim për vepritmari kundër kushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës” nga neni 127, paragrafi 2, lidhur me nenin 114, paragrafi 2 të KPRK-së.

Gjithashtu, Dobraq ngarkohet edhe me veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”. Në aktakuzë thuhet se nga 10 e deri më 29 dhjetor 2022 në Komunën e Zveçanit, Dobraq kishte marrë pjesë i anëtar i grupit ashtu që përmes përdorimit të forcës dhe dhunës në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, krejt me qëllim pengimin e ushtrimit të autoritetit shtetëror dhe kryerjen e detyrave zyrtare.

Aty thuhet se kur ishte ndaluar nga Policia e Kosovës më 10 dhjetor 2022 në Jarinjë, Dejan Pantiq, i kërkuar nga organet shtetërore. Strukturat ilegale serbe dhe grupet kriminale në veri, sapo kanë kuptuar për ndalimin e tij, kishin aktivizuar fillimisht alarmet për mobilizim dhe ishin organizuar për të vendosur automjete të rënda që të pengohet sjellja e Pantiqit nga Jarinja në Prishtinë. Kështu, ata kishin bllokuar rrugën magjistrale nga fshati Rudar, përkatësisht rrugën kryesore që të shpie në drejtim të Jarinjes, me qëllim që t’i pengonin policët në ushtrimin e detyrës dhe dërgimin e Pantiqit tek organet kompetente të drejtësisë.

Gjithashtu, Dobraq ngarkohet edhe me veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 401, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në pikën tre të aktakuzës, ngarkohet Sërgjan Vuçiniq ku thuhet se nga 10 e deri më 29 dhjetor 2022 në Komunën e Zveçanit, në cilësi të shefit të njësisë punuese të pastrimit në kompaninë “Standard”, ka marrë pjesë si anëtar i grupit apo bashkimit për kryerjen e veprës penale, ashtu që përmes përdorimit të forcës dhe dhunës në veri të vendit, kishin qëllim pengimin e institucioneve të Republikës së Kosovës në vendosjen e autoritetit shtetëror dhe kryerjen e detyrave zyrtare.

Më tej, thuhet se pas ndalimit në Jarinjë të Pantiqit, sapo kishin kuptuar për ndalim, së bashku me strukturat ilegale dhe grupet kriminale, kanë përdorur automjetet e kompanisë, duke i vendosë në pjesë të ndryshme për të shërbyer si barrikada.

Me këto veprime, Vuçiniq ngarkohet me veprën penale “Bashkim për veprimtari kundër kushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës” nga neni 127, paragrafi 2 lidhur me nenin 114, paragrafi 2 të KPRK-së.

Vuçiniq ngarkohet edhe me veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare” nga neni 127, par.2 lidhur me nenin 114, par.2 të KPRK-së, pasi që në bashkëkryerje me persona të tjerë, përmes përdorimit të forcës dhe dhunës, kanë penguar institucionet e Republikës së Kosovës dhe Policinë e Kosovës për vendosjen e rendit kushtetues në veri të vendit. Aty thuhet se në bashkëpunim me strukturat ilegale dhe grupet kriminale dhe se me të akuzurin Nenad Orloviq, ka marrë pjesë në bllokimin e rrugëve kryesore në atë zonë, ku kishte përdorur automjetet e kompanisë “Standard” për bllokimin e tyre.

Në pikën pesë të aktakuzës ngarkohet Orlloviq ku thuhet se nga 10 e deri me 29 dhjetori 2022 në Komunën e Zvecanit në cilësi të punëtorit në kompaninë e pastrimit “Standard” si anëtar i grupit i maskuar dhe në shoqëri me person tjetër të pa identifikuar në fshatin Rudare dhe udhëkryqin të Shkolla Teknike në Mitrovicë të Veriut kanë marrë pjesë aktivisht në bllokimin e rrugëve.

Kurse, Nenad Orloviq akuzohet se në cilësinë e punëtorit të kompanisë “Standard”, ka marrë pjesë si anëtar i grupit apo bashkimit për kryerjen e veprës së sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, ku qëllimi ishte që të pengoheshin institucionet e Republikës së Kosovës në vendosje të rendit kushtetues, ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe kryerjen e detyravezyrtare në veri. Në kuadër të veprimeve, thuhet se kishin vendosur automjete të rënda- si kamionë me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera. E në afërsi të barrikadave, edhe istikame.

Me këto veprime, Orloviq ngarkohet me veprën penale “Bashkim për veprimtari kundër kushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”  nga neni 127, paragrafi 2 lidhur me nenin 114, paragrafi 2 të KPRK-së.

Oroloviq ngarkohet edhe me veprën penale penale “Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare” nga neni 401, par.5 lidhur me par.2 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Kjo pasi, sipas PSRK-së, krahas asaj që mori pjesë bashkë me grupin që penguan institucionet e Republikës së Kosovës në vendosjen e rendit kushtetues, kishin përdorë makineri të rënda për bllokim të rrugëve, kur kishte kuptuar se ishte ndaluar Pantiq, me qëllim pengimin e transportimit nga Jarinja në Prishtinë, në mënyrë që të pengohej dërgimi i tij para organeve të drejtësisë.

Gjithashtu, në dosjen e Prokurorisë Speciale thuhet se më 28 dhjetor 2022, gjatë një takimi në Rashkë të Serbisë, në prani të Milan Radoiçiqit, ish-kryetarëve të komunave veriore dhe ish-policëve të dorëhequr, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u kishte kërkuar largimin e barrikadave pas lirimit të Dejan Pantiqit.

Në dosje përshkruhen edhe mënyrat e koordinimit të të akuzuarve për barrikadat në veri. Sipas Prokurorisë, Dushan Maksimoviq, Milosh Radosavljeviq, i njohur me nofkën “Kurto”, dhe Nemanja Joloviq, me nofkën “Svemo”, kanë komunikuar mes vete dhe me persona të tjerë përmes aplikacioneve signal dhe viber kanë komunikuar në mes veti dhe me disa persona tjerë.
Burimi: botasot.info / Aktuale.mk

GIF
LAJME TË NGJAJSHME

TË FUNDIT

GIF