Basha: 30 qershori tregoi se me Ramën s’ mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha gjatë një konference të mbajtur sonte në selinë e kaltër, ka pohuar se 85% e shqiptareve treguan dje se duan ndryshimin.

Marketing

Sipas tij, shqiptarët e sfiduan, e izoluan dhe e bënë Ramën t’i binin djersë të ftohta.

“Dje ju më të bashkuar se kurrë, jo rreth një partie politike, por rreth vlerave për të cilat qëndrojmë si komb, vlerave europiane, lirisë dhe demokracisë, hapët rrugën për t’i kthyer dinjitetin e nëpërkëmbur çdo shqiptari. Marrëzia e 30 qershorit tregoi se çfarë është i gatshëm të bëjë Edi Rama për pushtetin e tij. Pamjet drithëruese të të moshuarve që i mbanin nga krahët për të shkuar me detyrim në votime, pamjet e trishta të invalidëve, të pamundurve që duhet të bëheshin pjesë e farsës për bukën e gojës, pamjet e punonjësve të administratës që votonin me kokën ulur nga dëshpërimi”, ka thënë Basha.

Ka vazhduar tutje numërimin duke shtuar, sipas tij, “pamjet e te fortëve që kërcënonin me uniforma policie apo mbështjellë me petkun e pushtetarëve janë pasqyra më e qartë e degradimit të këtij regjimi”.

“Kombinimi i përdorimit të krimit dhe presionit të pushtetit për vota është pamja e zgjedhjeve shqiptare me Edi Ramën, e faktuar më parë nga Dibra, në Durrës dhe përsëri dje, në të gjithë Shqipërinë. 85% e shqiptarëve refuzuan regjimin e grabitjes dhe dhunës. 85% e shqiptarëve dje refuzuan Edi Ramen 85% e shqiptareve treguan dje se duan ndryshimin”, ka thënë ai.

Basha i ka thënë “jo ndryshimit të thjeshtë politik, ‘ik ti e te vi unë’, por ndryshimin e vërtetë që nis me ndryshimin e sistemit, garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, garantimin e votës dhe fuqizimin e saj”.

“85% e shqiptareve, demokrate, socialiste, të pa parti treguan dje se duan ndryshimin që kurrë me krimi të mos diktojë politikën, kurrë me kriminelët të mos vendosin për deputetë e kryebashkiakë, kurrë me krimi të mos ulët në parlament e të zërë vend në qeverisje, kurrë më punonjësit e administratës të mos poshtërohen, duke u përdorur për të mbushur mitingjet partiake apo të kërcënohen me vendin e punës për votën, kurrë më mos të kushtëzohet vendi i punës, buka e gojës, ndihma ekonomike apo pensioni nga vota. Dje dështoi plani i Edi Ramës për votime njëpartiake. Shqiptarët e refuzuan totalisht, atë dhe mercenarët e tij. Shqiptarët e sfiduan, e izoluan dhe e bënë t’i binin djersë të ftohta”, ka thënë Basha.

Basha ka thënë se qëndrimi i PD-së për Edi Ramën nuk ndryshon.

“30 qershori tregoi se me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, ka thënë ai.