Kreu i opozitës Lulzim Basha i ka bërë sot thirrje qeverisë të ndërmarrë sa më shpejtë masa të tjera financiare pasi sipas tij njerëzit dhe shteti janë në rrezik të madh ekonomik.
“Sot duhet të përsëris kërkesën urgjente për anulimin me vendim të qeverisë të të gjithë koncesioneve. Kjo të bëhet në mënyrë që të mbështeten të gjitha shtresat sociale. Qeveria nuk thotë se cfarë do të bëhet me 30 mijë biznese të vogla. Kemi një paketë anemike. Cfarë do të bëhet me dhjetëra dhe mijëra të papune. Cfarë do të bëhet me mbi 70 mijë familje që nuk përfitojnë nga kjo paketë.
Cfarë do të bëhet me ambulantët, me fermerët, cfarë do të bëhet me qindra dhe mijëra të biznesve që janë mbyllur. Plani që i kemi kërkuar është i bëshëm. Kërkojmë paketë të plotë. Mediat kanë pasqyruar pamje rrëqethëse të kryefamiljarëve. Ne do të bëjmë gjithcka për shëndetin dhe mirëqenien e shqiptarëve. Sot jemi në krizë kombëtare”, tha Basha.
Në komunikimin online me gazetarët, Bashës iu kërkua të komentonte lidhur me deklaratën e kryeministrit Rama se denoncimet e opozitës janë gomarllëqe.
“Nuk kam për të hyrë në asnjë debat politik me kryeministrin. I uroj sa më shumë shëndet, forcë energji dhe i kërkoj miqësisht të mos harxhojë kohë me opozitë, ose të njëjtën kohë të harxhojë për shqiptarët sepse shumica e tyre nuk kanë bukë të hanë. Kjo është vëmendja e opozitës”, ishte përgjigjja e kreut demokrat.
Ai u pyet nëse e ka bërë testin për koronavirus por u përgjigj se “nuk kam patur asnjë indikacion për të bërë testin”, deri në këto momente.