Basha: Nuk ka as negociata e as zgjedhje

Nga Gjirokastra, ku u takua me strukturat e Partisë Demokratike të të gjithë qarkut këtë të enjte, kryetari i opozitës në Shqipëri, Lulzim Basha tha se mesazhi i Evropës për kryeministrin Edi Rama është i qartë. Sipas tij, ai është “nuk ka negociata pa dënuar politikanët që vodhën votat në vitin 2017”.

Marketing

Sipas kreut të opozitës, pa u ndëshkuar vjedhësit e votave, nuk mund të kemi zgjedhje të reja, të lira e të ndershme.

“Beteja dhe zotimi ynë i parë është transformimi politik i vendit sipas standardeve evropiane. Ne demokratët jemi të qartë e të vendosur. Në Evropë shkohet me zgjedhje të lira dhe me balancim pushteti e drejtësi të pavarur”, tha më tej kreu i PD-së.

Basha shpalosi edhe programin e forcës politike që ai drejton, nëse do të vijë në pushtet.

“Brenda 4 viteve të para, pensioni minimal do të jetë 25 mijë lekë në muaj. Do ta ndalim eksodin e mjekëve dhe infermierëve përmes rritjes së pagave në 1.200 euro për mjekët dhe 700 euro për infermierët. Kjo rritje do të jetë edhe një tregues indeksimi për të gjitha shërbimet e tjera në Shqipëri. Do të ndalim krizën e arsimit të lartë me dyfishimin e buxhetit. Buxheti do të subvencionojë në masën 100% tarifat e studimeve ‘Bachelor’ dhe ‘Master’ për të gjithë ata studentë që vijnë nga familje me të ardhura nën 64 mijë lekë, dhe 50% për pjesën tjetër. Do t’i japim fund emigracionit të të rinjve”, tha Basha.

Kreu i opozitës tha gjithashtu se inxhinierët e teknologjisë dhe elektronikës nuk do të shkojnë në punë të zeza në rrugët e Evropës, por do të punojnë këtu në Shqipëri, sepse me sistemin e taksës së sheshtë 9%, vendi ynë do të thithë investime të huaja direkte, duke nisur me ekonominë gjermane.

Marketing