Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte këtë të diel në Fushë-Mamurras, ku sipas njoftimit të shpërndarë për mediat, pa nga afër situatën e familjeve të dëmtuara nga tërmeti, të cilët prej 13 ditësh qëndrojnë në tenda, në të ftohtë.
Referuar njoftimit nga selia blu, banorët e dëmtuar kërkojnë vlerësim korrekt të dëmeve të shtëpive dhe strehim të sigurt, pasi deri tani Bashkia e Kurbinit i ka keqtrajtuar.
“Në shtëpitë ku jam futur këto dy javë kam parë që para se t’i godiste tërmeti i 26 nëntorit, i kishte goditur tërmeti i varfërisë. Për fat të keq, mangësitë institucionale dhe shtetërore kanë dalë në pah më shumë se kurrë bashkë me korrupsionin dhe bashkë me atë që njerëzit po e dallojnë se po i ndajnë në të nënës dhe të njerkës. Në këtë kohë, kontributi vullnetar i të rinjve ka bërë një diferencë të jashtëzakonshme të përnatshme, të përditshme me nevojat bazike që nga fëmijët 4-5 muajsh e deri tek të moshuarit 80 apo 90 vjeç”- u shpreh kreu i opozitës.
Në takimet me banorët e prekur nga tërmeti në Mamurras, Basha u shoqërua nga rinjtë e FRPD-së, të cilëve u shprehu mirënjohje për kontributin vullnetar, së bashku me banorët e Unazës së Re dhe Aleancës për Teatrin, pasi ata u kanë shërbyer të gjithë të dëmtuarve, me ushqim, ngrohje dhe ilaçe.