Basha takon Metën dhe aleatët, opozita e gatshme për zgjedhje në 13 tetor

Opozita është e gatshme për mbajtjen e tre zgjedhjeve në 13 Tetor, zgjedhjet lokale, ato të përgjithshme të parakohshme si edhe për zgjedhjen e Presidentit të vendit. Kjo është deklaruar sot nga kreu demokrat, Lulzim Basha pas takimit që zhvilloi me presidentin Ilir Meta, dhe me pas me aleatët e PD-së në selinë blu. Zoti Basha tha se “opozita kërkon garanci për votën e lirë, ku kusht mbetet largimi i Kryeministrit Rama”. “Kreu i Shtetit mendon se 13 tetori është një mundësi për daljen nga kriza politike” tha zoti basha duke ju referuar takimit me zotin Meta. “Duke vlerësuar maksimalisht shqetësimin e tij, i kam bërë të qartë që opozita është në këtë betejë për interesin e njerëzve, për t’i garantuar shqiptarëve të drejtën e votës dhe për të garantuar një qeveri që buron nga njerëzit dhe u shërben njerëzve. Kemi diskutuar për hapat e mëtejshëm politikë, në raport me zgjidhjet që presin dhe do t’u ofrojmë shqiptarëve”, tha zoti Basha, por pa dhënë më shumë hollësi.

Marketing