Basha thirrje qytetarëve: Bashkohuni të shtunën t’i tregojmë Ramës se jemi shumicë, ka ardhur dita të vrasim frikën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vijuar edhe ditën e djeshme me turin e takimeve me qytetarët. Pas Korçës, dje kryedemokrati Basha është ndalur në bashkëbisedimet me qytetarët dhe simpatizantëve të partisë që ai drejton në qytete si Pogradeci, Gjirokastra dhe Ballshi. Kështu, nga Gjirokastra Basha u ka kujtuar qytetarëve që t’i bashkohen protestës së PD me 11 maj, ndërsa theksoi se Partia Demokratike së bashku me partitë e tjera opozitare, sipas tij, sot përbëjnë mazhorancën dhe se ata do të sjellin Europën në Shqipëri. “Sot është 9 maj, dita e Evropës dhe sot nga Gjirokastra kjo energji e jashtëzakonshme, ngjitëse, frymëzuese për kauzën tonë të madhe i thotë çdo shqiptari, pavarësisht prej bindjeve politike, moshës, krahinës, fesë, se ky komb është i bashkuar dhe i vendosur për Shqipërinë si e gjithë Evropa. Me këtë ëndërr nisi kryengritja studentore 30 vite më parë, me këtë amanet u themelua PD. 30 vite tranzicion kanë qenë një udhëtim plot sakrifica drejt Evropës. Edhe ju gjirokastritët keni qenë dëshmitarë të emigracionit drejt Greqisë. Kush nuk e di rrugëtimin tonë plot sakrifica që është shkruar në memorien e nënave dhe baballarëve të Shqipërisë, e në veçanti të Gjirokastrës. 30 vite për të shkuar në Evropë, por edhe hapa për ta sjellë Evropën këtu. Sot edhe njëherë po na thërret në skenë, në skenën e vendimit të madh politik, po na thërret vokacioni perëndimor, ndaj thirrja ime e parë ndaj aktivistëve tanë dhe ndaj qytetarëve tanë, shqiptarë e minoritarë: bashkohuni me 11 maj për Shqipërinë si e gjithë Evropa”, deklaroi ai. Po dje, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijoi turin e tij në Mallakastër, teksa ftoi qytetarët që t’i bashkohen opozitës në protestën kombëtare të së shtunës në 11 maj në kryeqytet. Në këtë kontekst, Basha theksoi se kjo ditë do jetë dita kur qytetarët e ndershëm do të vrasin Shqipërinë e frikës dhe në vend të saj do të ndërtojnë shpresën, e cila sipas tij, është vrarë nga keqqeverisja e Edi Ramës. “Kjo është thirrja që buron nga Shkodra në Vlorë, nga Durrësi në Korçë “Rama ik”. Sot jemi mbledhur në muzgun e tiranisë së krimit dhe në prag të rrëzimit të klikës së korrupsionit. Me 11 maj, ditën e shtunë, po troket parathënia e bashkimit shqiptar më të madh në historinë e kombit shqiptar. Janë bashkuar me demokratët edhe socialistët, që duan ta shpëtojnë partinë nga kthetrat e krimit. Pakica është pasuruar mbi gjakun e qytetarëve. Janë sulur dhe grabisin gjithçka”, nënvizoi kreu i PD, Lulzim Basha.

Marketing
Marketing