Edhe përkundër krizës me pandeminë, partnerët tradicional të Maqedonisë së Veriut në tregti vazhdojnë të mbeten Turqia dhe Kosova, thekson zëvendëskryeministri, Fatmir Bytiqi. Vlerëson se periudha post-Covid është shans i mirë për të bërë një rajon edhe më konkurrues, por edhe më atraktiv.
“Periudha pas Covidit është një shans, për të avancuar edhe më tej bashkëpunimin tonë për të bërë një rajon që do të jetë konkurrues dhe tërheqës dhe jo për të krijuar konkurrencë të ndërsjellë midis vendeve të Ballkanit perëndimor. Nëse këto dy vite të vështira nuk na kanë mësuar për asgjë, është rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë dhe përmbushja e nevojave miqësore të tjetrit, por edhe rëndësia e disponueshmërisë materialeve, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve.”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytiqi.
Ajdovan Ademoski nga Oda Ekonomike e Maqedonisë – Turqisë (MATTO), theksoi se investimet turke në RMV kanë arritur shifrën prej 2 miliardë dollarëve.
“Deri vitin e kaluar, totali i investimeve turke në vend arrinte në rreth dy miliardë dollarë amerikanë. Investimet e kompanive turke janë në shumë fusha dhe sektorë të ndryshëm, por shumica e investimeve janë në sektorin e ndërtimit, në fushën e materialeve të ndërtimit, tregtisë, bankave, shëndetësisë, transportit ajror, si dhe në prodhimin e produkteve ushqimore. Synojmë që deri në vitin 2023 të arrijmë shkëmbimin tregtar midis dy vendeve deri në një miliardë dollarë.”,- theksoi Ajdovan Ademoski nga Oda Ekonomike e Maqedonisë – Turqisë (MATTO).
“Kur i ftojmë biznesmenët turk për të investuar në vendin tonë gjithnjë tentojmë tua bëjmë të ditur faktin se nuk duhet të koncentrohen vetëm një në treg prej 2 milionësh, por këto investime do të mund të depërtojnë në gjithë tregun ballkanik.”,- u shpreh ministri i Kosovës për zhvillimin rajonal, Fikrim Damka.
Këto qëndrime u dhanë në diskutimin me temë “Kontributi në zhvillimin e marrëdhënieve socio-ekonomike ndërmjet Republikës së Turqisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës” organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë – Turqisë (MATTO), ndërsa u nënshkrua edhe protokoll për bashkëpunim reciprok.