“Bashkëqeverisje Rama-Basha?”, Plaka: Opozita duhet të nisë një luftë të fortë në Parlament dhe t’i rrijë strikte votës të mbështetësve të saj

Analisti Armand Plaka i ftuar në studion e RTV Ora u shpreh se procesi zgjedhor i 25 prillit ofroi shumë risi.

Sipas zotit Plaka opozita aktuale duhet të luftojë dhe të nisë një luftë në parlament për evidentimin e fakteve  dhe provave që kanë të  bëjnë me shit-blerjen e votës.

Marketing

Zoti Plaka është kundër zërave të demokratëve që kërkojnë dorëheqjen e zotit Basha dhe shprehet se liderit demokrat duhet t’i jepet më shumë kohë.

Përsa i përket ftesë së qeverisë Rama për një bashkëpunim të mundshëm mes PS dhe PD ai shprehet se nëse do të ishim një vend Evropian kjo nuk do të ishte çudi, por fryma politike që ofron Shqipëria aktualisht kërkon krijimin e një opozite të fortë.

Plaka: “Ky proces zgjedhor rezervon shumë risi. Në fazën aktuale shohim rolin e arbitrit nga OSBE, i cili në një raport paraprak tentoi të prekë dy tematika të cilat janë bërë një gangrenë.

Ndërhyrja apo përdorimi i administratës publike në procesin apo në fushatën zgjedhore, sikurse dhe ajo që duket si një problem endemik i Shqipërisë, sidomos nga viti 2017 për përdorimin e resurseve financiare, pra shit-blerjen e votës. “

Deri ku mund të shkojnë evidentimet e këtyre parregullsive? Ka mundësi që të zhbëhet 25 prilli?
“Unë mendoj që opozita do të duhet të luftojë fort, të nisë një luftë të fortë në parlament ku beteja e saj e parë do të jetë evidentimi, mbledhja dhe vënia në dispozicion të drejtësisë, të fakteve dhe provave lidhur me ato që quhen manipulime zgjedhore.”

Risi e këtyre zgjedhjeve ishte hapja e pjesshme e listave. Personat që thyen herësin ishin të paktë. Sa efektive e pe këtë hapje listash?

Plaka: “Pas gati 30 vitesh demokraci, qytetarët shikonin në hapjen e listave rolin e shkopit magjik, çka kuptova shumë herët se nuk do të ishte aspak kështu.”

PSD e Tom Doshit ishte surprizë, ndërkohë Nisma  Thurrje, Lëvizja për Ndryshim e zonjës Topalli dhe Bindja Demokratike nuk materializuan dot asnjë deputet të vetëm.

Plaka: “Është fatkeqësi për mua që Nismës Thurrja ju dha ajo hapësirë, sepse meritonte më shumë, por e kuptoj si një mesazh të popullit i cili ishte orientuar në dy kahe strikte.”

A duhet ta kemi në program bashkimin kombëtar?

Plaka: “Ky do të ishte një diskutim pafund, por për momentin mendoj se duhet të respektohet legjislacioni zgjedhor i dy vendeve.  

Kjo punë duhet parë në kuadër të shumë planeve, që mos prodhojmë atë që kritikët e Vetëvendosjes e kanë thënë me kohë që kjo është një fasadë apo kjo është një strategji e Vetëvendosjes për të marrë më shumë vota.”

Do të ishte e udhës një dorëheqje nga ana e Bashës?

Plaka:“Për momentin edhe unë i bashkohem atyre që mendojnë se i duhet lënë dhe pak kohë i zotit Basha, deri sa të vijë takimi i rregullt i korrikut 2021. Aty një nga temat e pritshme është edhe qëndrimi apo jo në vijim i kryetarit të partisë, po sigurisht që kjo është një nga çështjet më të nxehta për të gjithë demokratët. Unë e shoh të konsumuar rolin e Bashës në kuadër të dy humbjeve, por nga ana tjetër nuk mund të mohoj se të paktën zgjedhjet e fundit u përpoq dhe bëri më të mundshme përballë një makinerie shtetërore që dihet se çfarë mundësisht ka.”

A duhet të konsiderohet ftesa e Ramës për koalicion me PD-në dhe teorikisht çfarë do të sillte një bashkim i tillë?

Plaka: “Nëse do të ishim një vend aq i emancipuar sa në Evropë sigurisht  që nuk do ishte çudi. Në aktualitetin politik që na ofron Shqipëria, mendoj se opozita duhet t’i rijë strikt votës së dhënë nga votuesi i vet, të bëjë një opozitë të fortë dhe lista këtë radhë premton shumë risi. Ajo që mendoj është rasti unik që mazhoranca dhe opozita të bëjnë një pakt kombëtar.”

Marketing