Bastisje në Gazi Babë të Shkupit, sekuestrohet pasuri mbi 600 mijë euro

Departamenti i Policisë Kriminalistike – Sektori për Trafikim të Paligjshëm me drogë, armë dhe materie të rrezikshme së bashku me SPB Shkup – Njësiti për trafikim të paligjshëm me drogë, NJSA Tigrir dhe Departamenti për luftimin e krimit të organizuar dhe të rëndë, pas udhëzimeve të Prokurorit Publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka kryer hetim kriminalistik nga shtatori i vitit 2023 deri në janar të vitit 2024 për personin R.K. (45) nga Shkupi, i cili më parë ishte dënuar dhe vuajti dënimin me burgim prej 15 vitesh për shitje droge.

Marketing

Gjatë hetimeve janë siguruar provat materiale dhe është konstatuar se R.K. ka blerë kokainë, heroinë dhe marihuanë dhe më pas i ka ripaketuar dhe rishitur me çmim prej 3000 denarë për një pako kokainë, nga 600 deri në 1000 denarë për një pako heroinë dhe 600 denarë për një pako marihuanë. Gjatë hetimeve janë siguruar provat se R.K. u shiste drogë një numri të madh njerëzish.

Më datë 14.01.2024, në koordinim me NJSA Tigri, janë kryer bastisje në tri lokacione në lagjen Gazi Babë në Shkup. Gjatë kontrolleve u gjetën kokainë, tre peshore dixhitale etj., ndërsa në objektin afarist u gjetën 21 kompjuterë me monitor dhe pajisje lojrash, pajisje kompjuterike të llojllojshme me vlerë rreth 120 mijë euro, të cilat dyshohet se janë blerë me paratë e shitjes së drogës.

Pas pranimit të kallëzimit penal, Prokuroria Themelore Publike Shkup gjatë ditës së nesërme do të nxjerrë Urdhër për zbatimin e procedurës hetimore ndaj të dyshuarit për veprën penale – Prodhimi dhe vendosja në treg e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve nga neni 215 i Kodit Penal. Në Gjykatën Themelore Penale Shkup do të dërgohet propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Gjatë procedurës ndaj të dyshuarit do të kryhet hetim financiar. Nëse vërtetohen dyshimet se pajisjet e gjetura, mjetet e transportit dhe pasuritë e paluajtshme janë përfituar me mjete financiare të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike, Prokuroria Publike do të nisë procedurën e konfiskimit, sipas dispozitave ligjore.