BDI dhe VMRO i nxjerrin “të palarat” njëra tjetrës

BDI-ja ka ashpërsuar gjuhën kundër ish partnerit disa vjeçar në Qeveri, VMRO-DPMNE-së pas akuzave të kësaj të fundit drejtuar zv.kryeministrit Artan Grubi dhe funksionarëve të tjerë integristë mbi dyshime për përfshirje në afera korruptive. Në reagimin e BDI-së thuhet se VMRO-DPMNE-ja është organizatë kriminale e vërtetuar sipas tyre me aktvendim gjyqësor.

Marketing

“Organizata kriminale e konfirmuar nga gjykata, VMRO DPMNE e Hristijan Mickoskit u shndërrua në nxitës të një narrativi antishqiptar në shoqërinë tonë dhe po garon me Levicën e Apasievit për sulme raciste. VMRO DPMNE e Mickoskit është partia e vetme në vend të cilës gjykata i ka ngrirë të gjitha pasuritë për shkak të konfirmimit se është organizatë kriminale. Kryetarët e komunave të kësaj VMRO DPMNE të Mickoskit potencojnë se kanë udhëzime nga Mickoski, i njohur si “shpicen komandant”, që të mos lëshojnë vërtetime për legalizimin e shtëpive të shqiptarëve në komunat e tyre në përputhje me ligjin dhe nën asnjë kusht të mos angazhojnë kompani të shqiptarëve në komunat e tyre, si dhe të mos lëshojnë leje ndërtimi për shkak të politikave demografike raciste”, thonë nga BDI.

Akuzat BDI-VMRO të llojit para fushatave zgjedhore u aktualizuan pasi opozita maqedonase akuzoi publikisht Grubin dhe familjen e tij për përfitimin e pasurisë milionëshe fal ndikimit politik që sipas tyre Grubi e shfrytëzon për të afërmit e tij. /Alsat.mk

Marketing