Kaloi dita e gjashtë që nga akti i rëndë dhe i papranueshëm ku një zyrtar policie, në sy të gjithë publikut dhe kamerave, heq dhunshëm flamurin shqiptar dhe e hedh atë në tokë me përbuzje. Ky akt flagrant, i cili poshtëron jo vetëm simbolin tonë kombëtar, por gjithë shqiptarët, mbetet ende pa asnjë pasojë për autorin.
Sot shënohet dita e gjashtë që ky zyrtar policie vazhdon të jetë i lirë, pa asnjë masë disiplinore, pa asnjë ndëshkim për veprimin e tij të turpshëm. Çfarë mesazhi po jepet me këtë? A po dërgohet sinjali se ofendimi i shqiptarëve, sulmi ndaj simboleve tona dhe përçmimi ndaj komunitetit tonë janë të tolerueshme dhe të pandëshkueshme?
Kjo heshtje e institucioneve, kjo mungesë e drejtësisë, është një fyerje e dyfishtë për shqiptarët. Është një mesazh i rrezikshëm që legalizon diskriminimin dhe thellon ndarjet në një shoqëri që pretendon të jetë demokratike dhe e barabartë për të gjithë qytetarët.
Bashkimi Demokratik për Integrim, nuk mund të lejojë që një akt i tillë të kalojë pa ndëshkim. Drejtësia nuk mund të heshtë kur një simbol kombëtar dhunohet dhe kur një komunitet i tërë poshtërohet.
Institucionet duhet të veprojnë menjëherë. Çdo ditë që kalon pa ndëshkimin e këtij akti është një ditë ku padrejtësia dhe diskriminimi institucional po thellohen. Flamuri shqiptar është dinjiteti ynë, dhe ne nuk do të lejojmë që dinjiteti ynë të nëpërkëmbet pa pasoja.