BDI dorëzoi në Qeveri propozim masat për rimëkëmbje të ekonomisë

Sot në selinë e Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në Tetovë u mbajt mbledhja e radhës e Sekretariatit për Ekonomi dhe Financa në të cilën u debatua dhe u hartua një set masash sociale dhe ekonomike në interes të rimëkëmbjes së gjendjes ekonomike dhe sociale të qytetarëve dhe sektorit privat si përgjigje ndaj pasojave të shkaktuara nga COVID 19.
Masat e propozuara ofrojnë mbështetje për ekonominë me fokus kryesor – ruajtjen e vendeve të punës, ruajtjen e stabilitetit shoqëror dhe sigurinë shëndetësore dhe sociale për qytetarët, por edhe ndihmë për të gjithë ata që janë të prekur nga kjo krizë.
BDI mbetet në qëndrimin se nuk ka ulje të pagave në administratën publike, ndërsa për rritjen e konsumit ne propozojmë ndihmë të drejtpërdrejtë financiare për qytetarët.
Mesazhi ynë kryesor është që rritja e shpenzimeve publike dhe private do të nxisë rritjen ekonomike.
Për këtë qëllim, është e nevojshme që në këtë moment të përshpejtohet realizimi i të gjitha investimeve kapitale të planifikuara për vitin 2020. Propozimi i BDI-së në periudhën e ardhshme është që fokusi të jetë në realizimin e të gjitha projekteve të ndërtimit në pjesën e ndërtimit të shkollave, kopshteve, sallave sportive, infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, përshpejtimin e ndërtimin e rrjetit të gazifikimit, investimet në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimeve, por edhe efikasitetin energjetik të objekteve.
Sekretariati për Ekonomi dhe Financa (SEF) konstatoi se pakoja e parë dhe e dytë e ndihmës socio-ekonomike të Qeverisë, ka ndikuar pozitivisht në ruajtjen e vendeve të punës dhe ruajtjen e likuditetit të kompanive vendore.
SEF-i konsideron se tani është koha që Qeveria të del me pako të tretë për rimëkëmbje socio-ekonomike e cila do të fokusohet në stimulimin e konsumit privat duke targetuar qytetarin, kategoritë e rrezikuara sociale, biznesin dhe në veçanti ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.
Për të stimuluar ekonominë e brendshme, ne propozojmë masa për rritjen e prodhimit vendor, që do të realizohej duke inkurajuar qytetarët të blejnë produkte vendore, por edhe përmes mbështetjes financiare për të rritur prodhimin e produkteve bujqësore.
BDI i propozon Qeveris set masash të reja për sektorët më të goditura siç janë: Turizmi, gastronomia, transporti, ndërmarrjet mikro dhe te vogla, zejtaret individual, por gjithashtu edhe stimulimin e ekonomisë digjitale.
Sekretariati shqyrtoi edhe burimet e financimit të pakos së tretë të masave socio-ekonomike duke përfshirë rialokimin e mjeteve buxhetore dhe hua nga institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe emision të bonave të thesarit dhe eurobonde sipas nevojës.
Këto janë vetëm disa nga masat të cilat sikurse edhe për pakon e parë dhe të dytë BDI ka përgatitur edhe për pakon e tretë socio-ekonomike e cila do t’i dorëzohet Qeverisë e që synojnë mbështetjen e ekonomisë së brendshme dhe mbështetjen e qytetarëve për të tejkaluar këtë periudhë.
Me këto masa, ne krijojmë mundësi për një tejkalim të shpejtë të kësaj krize, me pasoja më të pakta për të gjithë ne.

Marketing