BDI dorëzon interpelancë ndaj katër ministrave

Deputetët e Frontit Europian sot në konferencë për shtyp njoftuan se kanë dorëzuar interpelancë ndaj zv.kryeministrit Izet Mexhitit, ministrit Pançe Toshkovskit, zv.ministrit Astrit Isenit dhe ministrit Ivan Stoilkoviq.

Marketing

Koordinatori i grupit parlamentar të Frontit Europian, Blerim Bexheti tha se arsyet e interpelancave i kanë sqaruar në kërkesa, ndërsa theksoi se Izet Mexhiti është përgjegjës për marrëdhëniet ndëretnike, si dhe e akuzoi se ai ka dështuar në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.

Bexheti gjithashtu tha se Qeveria po përgatit skenarë për destabilizim, pasi siç tha, ka dështuar që ta çojë vendin drejt BE-së. Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve.

“Deklaratat dhe veprimet e qeverisë tregojnë përpjekje të qartë për të krijuar klimë tensione. Destabilizimi i vendit është në interes të Rusisë, duke minuar paqen në Ballkan dhe ndaluar anëtarësimin e vendit në BE. Destabilizimi u shërben edhe interesave të kësaj qeveria, e cila është e paaftë të anëtarësojë vendin në BE. Përballë dështimeve të saj, qeveria përpiqet të krijojë krizë artificiale por të rrezikshme, duke i paraqitur shqiptarët si destabilizues të vendit. Shqiptarët kanë qenë dhe mbeten shtyllë e vendit, ne kemi qenë forca që ka shtyrë përpara vendin drejt integrimeve euroatlantike. U bëjmë thirrje shqiptarëve të qëndrojnë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve”, tha Bexheti.