BDI: E blerta e jetës cilësore, oferta më kreative e kësaj fushate zgjedhore

Me Tubimin zgjedhor që sot Bashkimi Demokratik për Integrim do ta mbajë
në qytetin e Gostivarit përmbyllë fushatën për zgjedhjet lokale të 17
tetorit. Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani në konferencën e sotme për
shtyp ka vlerësuar se kjo fushatë ka qenë një nga fushatat më të mira
dhe më pozitive, gjatë së cilës në çdo komunë ku garon ka prezantuar
konceptin inovativ dhe kreativ të Agjendës së blertë, kandidatët për
kryetarë komunash dhe listat e kandidatëve për këshilltarë.

Marketing

“Së pari më lejoni të konstatoj se kishim një fushatë të drejtë, në të
cilën me të vërtetë të gjithë pjesëmarrësit patën mundësi t’iu
prezantohen qytetarëve në kushte të barabarta. Ky është përfitim i
rëndësishëm demokratik, që korrespondon me pjekurinë demokratike të një
vendi anëtar të NATO-s dhe një vendi kandidat për anëtarësim në BE.
Sipas mendimit tonë, për BDI-në padyshim kjo ishte fushata më e bukur që
e kemi pasur deri më tani në çdo aspekt: E para, kishim fushatë
jashtëzakonisht pozitive dhe kjo u ndje në një numër të madh takimesh me
qytetarët. Ata u interesuan për projektet, propozuan edhe projekte të
tyre dhe më e rëndësishmja – e pranuan agjendën e blertë, si një
prioritet të rëndësishëm për zhvillimin e mjedisit të tyre, për
rregullimin e lagjeve të tyre, vendbanimet dhe komunat më gjërë.
Mbajtëm afër 20 Tubime qendrore në të gjitha qendrat më të mëdha të
shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut: Nga Likova dhe Saraji, përmes
Çairit, Tetovës dhe Gostivarit, deri në Kërçovë, Dibër dhe Strugë.
Realizuam qindra vizita, në të gjitha vendbanimet, duke shkuar nëpër
lagje dhe vendbanime, duke trokitur në secilën derë, duke realizuar
takime të drejtpërdrejta me dhjetëra dhe dhjetëra mijëra qytetarë”, tha
zëdhënësi Osmani.

Edhe pse fitoren e vërtetë e presim të dielën, më 17 tetor, duke e
konsideruar fushatën si një pjesë të veçantë të garës politike, në këtë
pjesë të parë padyshim që ne fituam, u shpreh më tej zëdhënësi i BDI-së.

“Me energji pozitive, me një ofertë të mirë, me një koncept të bukur, me
projekte të mira, duke imponuar agjendën e blertë si diskursi më i
rëndësishëm i kësaj fushate, arritëm t’u rezistojmë sulmeve nga
konkurrentët politikë dhe qëndrimit të tyre të padrejtë dhe joparimor,
si dhe të koalicionit të tyre joparimor në të cilin ata vetë nuk besojnë
më. Sidoqoftë, sot përfundon fushata. Kishim 20 ditë fushatë të
lodhshme, dinamike por edhe pozitive dhe të bukur. Dua ti përgëzoj
qytetarëve për dinjitetin, për pjekurinë e dëshmuar demokratike dhe t’i
faleminderoj që ishin të hapur për të dëgjuar dhe për të kontribuar në
krijimin e agjendës së re të blertë”, potencoi Osmani.

Ai iu bërri thirje qytetarëve që të dielën, më 17 tetor, në mënyrë
demokratik dhe të lirë të dalin dhe të votojnë.

“Në fund, dua t’i ftoj të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh
përcaktimit të tyre politik ose vendimit se për kë duan të japin votën e
tyre, megjithatë të dielën të dalin në votim. Zgjedhjet janë momenti më
i rëndësishëm kur secili prej nesh në mënyrë të fshehur e jep mendimin e
vet; është e rëndësishme që secili prej nesh në mënyrë të lirshme të
shpreh vullnetin politik dhe me këtë të merr pjesë në krijimin e së
ardhmes së vet dhe të ardhmes së përbashkët”, theksoi në fund të
konferncës për shtyp zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Marketing