Kryesia e degës së Bashkimit Demokratik për Integrim – BDI në Gostivar, mbajti
mbledhjen e radhës me të vetmen pikë të rendit të ditës, përpilimi i listës me kandidatët
e mundshëm për deputetë për zgjedhjet e 12 Prillit.
“Brenda javës që lamë pas, kryesia u takua dhe vendosi kriteret për nominim, pas çka,
obligoi Këshillat Vendore të mbajnë mbledhje dhe të propozojnë deri tre emra për
deputetë potencial. Të gjitha Këshillat Vendore gjatë ditës së shtunë mbajtën mbledhje
dhe dorëzuan propozimet. Në mbledhjen e së dielës Kryesia shqyrtoi propozimet dhe unanimisht miratoi listën që do t’i dorëzohet liderit, z. Ali Ahmeti. Duhet theksuar që në listën e propozuar, 50 % i takojnë gjinisë femërore”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Degës së BDI-së në Gostivar.
“E filluam procesin në mënyrë trasparente dhe po e përmbyllim, po ashtu, në mënyrë
transparente. Sonte kemi listën me kandidatët e mundshëm për deputetë dhe e njëjta
do të dërgohet në selinë e partisë. Lista u krijua nga propozimet që erdhën nga Këshillat
Vendore. Kryesia luajti rolin e ndërmjetësuesit të bazës me qendrën”, tha Kryetari i
degës, z. Bashkim Hasani.
Sipas statutit të partisë, lideri Ahmeti mban të drejtën e përzgjedhjes dhe përfshirjes së
kandidatëve në listën partiake për deputetë.