BDI hapi shtabin zgjedhor në Manastir

Bashkimi Demokratik për Integrim në një atmosferë të ngrohtë dhe shumë miqësore, në prani të anëtarëve të degës, aktivistëve dhe qytetarëve të shumtë sonte hapi shtabin komunal zgjedhor në qytetin e Manastirit. Të pranishëm në hapjen e shtabit zgjedhor të BDI-së në Manastir ishin kandidatin për deputet në zonën 5 zgjedhore, Musa Xhaferi, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe ministrin i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.

Marketing

Kandidatin për deputet në zonën 5 zgjedhore, Musa Xhaferi në fjalën e tij tha se mbështetja për shqiptarët e Manastirit, Resnjës dhe Ohrit duhet të jetë edhe më e madhe nga sa e kanë votën.

“Falenderoj BDI-në dhe kryetarin Ali Ahmeti që më kanë dhënë besimin që të jem edhe këtë radhë kandidat për deputet. Kam nostalgji për këto vendbanime. Manastiri, Resnja dhe Ohri duhet ti mbështesim më shumë se sa ato e kanë votën, sepse janë zona shumë të shtypura, ka shumë emigracion, rinia e kësaj ane kur shkollohet duhet edhe të punësohet. Unë besojë se ne do të jemi lider absolut në këtë zonë dhe nuk është e tepër për tu thënë, por ne në këtë zonë do ti kemi katër deri në pesë deputet”, tha Xhaferi në fjalën e tij.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi tha se qëllimi kryesor i Ali Ahmetit dhe BDI-së është që nëpërmjet këtyre zgjedhjeve ky “Front Europian” i cili udhëhiqet nga BDI – të shndërrohet në front i cili do garojë për vendin e parë.

“Kur flasim për garën për vendin e parë, pra do të garojë me LSDM-në dhe VMRO DPMNE-në. Deri në këto zgjedhje, komunitetet më të vogla, siç janë komuniteti turk, komuniteti romë, komuniteti boshnjak kanë qenë mbështetës të fronteve të ndryshme apo koalicioneve të udhëhequra prej VMRO DPMNE-së apo LSDM-së. Duke marrë parasysh strukturën etnike të shtetit, rezultatet e Regjistrimit të fundit të popullsisë – rreth 45 % e popullatës në Maqedoninë e Veriut janë popullatë jo-maqedonase, andaj konsiderojmë dhe jemi më se të bindur se zëri i etnive tjera duhet të jetë edhe më i fuqishëm në kuadër të institucioneve shtetërore dhe Kuvendit. Bëjë thirrje që ky unifikim të përçohet te çdo qytetarë, në radhë të parë te shqiptarët dhe komunitetet tjera që ti bashkohen “Frontit Europian” dhe të dëshmojmë se garojmë për të marrë mandatin për të udhëhequr shtetin”, u shpreh ministri Bekteshi.

Ndërkaq, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri potencoi se në vendbanimet e vogla, në qytetet e vogla ku numri i shqiptarëve nuk është aq i madh unifikimi është shumë i rëndësishëm.

“Kësaj here “Fronti Europian” i ka unifikuar të gjitha subjektet më të rëndësishme në kampin politik shqiptar, subjektet e përkatësive të tjera etnike dhe ky unifikim duhet të tregojë rezultatin maksimal të cilin duhet ta arrijmë në zonën pesë zgjedhore. Unifikimi është shumë i rëndësishëm. Të gjithë kemi arsye ta bindim gjithsecilin, sepse përveç rezultateve që janë arritur në periudhën e kaluar, i vetmi bllok i cili i qëndron asaj që është suksesi më i rëndësishëm është “Fronti Europian”, për t’i thënë Jo Rusisë, Po Europës!”, tha Shaqiri në fjalën e tij në hapjen e shtabit zgjedhor elektoral të BDI-së në Manastir.