BDI: Humbësit e zgjedhjeve lokale të mbajnë përgjegjësi politike për dështimin

Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se i gjithë procesi i raundit
të parë dhe raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në vend u zhvillua
sipas të gjitha standardeve demokratike dhe qytetarët në mënyrë të lirë
shprehën vullnetin e tyre për ofertat programore të subjekteve politike
në garë.

Marketing

Edhe në Dibër ku më 14 Nëntor u zhvillua raundi i dytë i zgjedhjeve
lokale, i gjithë procesi kaloi në atmosferë të qetë dhe demokratike, ku
qytetarët dhanë verdiktin e tyre për fitoren e kandidatit të Bashkimit
Demokratik për Integrim, z. Hekuran Duka.

Humbësit e zgjedhjeve në vend që të përpiqen të gjejnë alibi për
dështimin e tyre përmes akuzave të pa argumentuara për parregullsi
zgjedhore, duhet ta pranojnë humbjen dhe të mbajnë përgjegjësi politike
para elektoratit duke dhënë dorëheqjen.

Dorëheqja në rast të dështimit do të ishte e shëndoshë edhe për
demokracinë brenda partiake të tyre dhe fillimin e një kapitulli të ri
për reformimin e opozitës, proces ky i nevojshëm pas dështimit të
njëpasnjëshëm në të gjitha ciklet zgjedhore deri më tani.

Bashkimi Demokratik për Integrim bën thirrje që të gjitha konstatimet
për parregullsi të dorëzohen deri te organet kompetente për hetim të
mëtutjeshëm.

Bashkimi Demokratik për Integrim është fituese e këtyre zgjedhjeve dhe
agjenda e saj e blertë si oferta më e mirë programore për jetë më
cilësore mori besimin e qytetarëve në pjesën më të madhe të komunave,
gjithsej në 11 komuna të vendit.