Partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) do të propozojë dy ndryshime të Ligjit për Prokurori Publike, deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, njëherë edhe zëdhënës i BDI-së, Bujar Osmani, transmeton Portalb.mk.
Ndryshimet do të jenë:
Harmonizim i Ligjit të Prokurorisë Publike me Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe
Përzgjedhja e kuadrit të Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë (Prokuroria Speciale Publike në shkrirje) të bëhet nëpërmjet votimit të “badenterit” në Kuvendin e RMV-së.
BDI mbështet iniciativën për formim të Prokurorisë për luftë kundër krimit dhe korrupsionit të lartë, sepse duhet të ketë institucion që do të merret me korrupsion të lartë dhe se tjetra është se duhet të vazhdohet ajo që qe nisur nga PSP-ja. Pjesa tjetra është çështje kompromisi. Ne si BDI e kemi miratuar këtë ligj, duke u bazuar në këto dy postulate. Por për shkak të afateve, ne e lëshuam në atë formë Ligjin nga Qeveria, por e lamë të hapur mundësinë, që ose deputetët e BDI-së, ose në ditët në vijim, ose nëse e vlerësojmë se Ligji është më praktike të sillet në Qeveri që të shtohen edhe dy përcaktime. Një është çështja e harmonizimit me Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe e dyta është çështja e badenterit në përzgjedhjen e kuadrit të kësaj prokurorie”, tha Osmani.
Përndryshe, përzgjedhja e kuadrit të PTHP-së për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë nëpërmjet badenterit është një vendim ndryshe nga propozim – ligji që u publikua nga kryeministri Zoran Zaev. Ai parashihte që pjesëtarët e kësaj Prokurorie të përzgjidhen nga Këshilli i Prokurorëve.