Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dje në Tetovë në Sallën Sportive të Shkollës së Mesme të Mjekësisë, “Nikolla Shtejn”, mbajti tubim në kuadër të fushatës për referendumin me moton “Bashkë për Maqedoninë Evropiane”.
Siç thuhet në kumtesën, shefi i shtabit për fushatën e Referendumit nga BDI-ja, Atilla Rexhepi tha se në kuadër të kësaj fushate nuk do të vendoset për fatinë partive politike, nuk ka kundërshtarë kurse fituese dihet dhe ato janë qytetarët tanë për shkak se ka qenë aspirata e kamotshme e shqiptarëve hyrja në aleancën Veri-Atlantike dhe integrimi në familjen e madhe Evropiane.
“Duke konsideruar se për ne nuk ekziston dilema se jemi apo nuk jemi në këto struktura, mendojmë se kjo do të jetë një fushatë e qetë e relaksuar dhe pa tensione kurse dita e deklarimit në referendum me masivitetin që do të realizohet për të mos lanë anash asnjë dilemë në orientimin tonë do të jetë një akt solemn i manifestimit të vullnetit të popullatës drejt një përkatësie të natyrshme. Në këtë mënyrë kjo do të vendos verdiktin e saj drejt integrimeve në NATO dhe Bashkimin Evropian”, u shpreh, shefi i shtabit për referendumin, Atilla Rexhepi.
Kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi, tha se kjo përbërje parlamentare ka nderin që të jenë bartës të autorizuar të fushatës për referendumin e caktuar për me 30 shtatorë.
“Bashkimi Demokrati për Integrim që prej themelimit të vetë në statutin e vetë ka këtë përcaktim ka këtë përcaktim dhe këtë vizion kyçjen e vendit në strukturat euroatlantike. Me ardhjen e Qeverisë së re gjerat u përshpejtuan dhe të zgjidhen çështjet që ishin gurrë pengues në arritjen e qëllimeve strategjike të vendit tonë. Nënshkrimi i marrëveshjes së fundit me Republikën e Greqisë është marrëveshje historike një marrëveshje që i hapi dhe i bëri të prekshme dyert e NATO-së dhe Bashkimit Evropian” theksoi Xhaferi
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, theksoi se sot vendi ballafaqohet me sfidën për të marrë vendimin i cili do të përcakton të ardhmen tonë dhe të ardhmen e gjeneratave të reja.
“Garanci të drejtpërdrejta kemi marrë nga kancelaria Merkel, jemi trimëruar nga vizita e Stoltenberg, jemi inkurajuar nga vizitat përfaqësuesve më të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. më 30 shtator Maqedonia duhet të dëshmojë publikisht se jemi pro NATO-s, BE-së dhe popullit amerikan dhe, siç tha ai, me dorën tonë të ndërpresim çdo ëndërr të Rusisë se do të kthehet këtu”, tha Osmani.
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi si mikpritëse e kësaj fushate për referendum para të pranishmëve tha se me këtë ideal të madh me janë bashkuar që nga koha e themelimit të Bashkimit Demokratik për Integrim, andaj duhet që të thuhet PO historisë së partisë, kombit, vendit dhe asaj evropiane.