Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) thotë se tanimë kanë dorëzuar shkresat dhe se do të marrin pjesë në grupin që do bëj propagandë pozitive për referendumin e çështjes së emrit.
Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se ka propozim që të përkrahet referendumi, megjithatë, definitivisht për këtë çështje pritet që të vendoset ditën e diel pas mbajtjes së Kuvendit Qendrorë të kësaj partie, njofton Alsat-M.
Nga Besa e Kasamit thonë se janë pro referendumit por se ende nuk kanë vendosur për mënyrën e zbatimit së fushatës. Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi dje njoftoi të gjithë deputetët dhe grupet parlamentare që kanë afat 3 ditorë të vendosin se a do më marrin pjesë në fushatë dhe se çfarë lloji të propagandës për referendum të bëjnë, “për”, “kundër” ose “bojkot”.
Nga VMRO-DPMNE thonë se janë të gatshëm që të marrin mjetet e ndara nga Qeveria për propagandën e referendumit që të informojnë saktësisht qytetarët se çfarë do të thotë marrëveshja e arritur me Greqinë, por mbeten të pavendosur për anën që do e mbajnë në referendum.