Në prag të kongresit të nëntorit, degët lokale të BDI-së vazhdojnë konsolidimin dhe proceset e brendshme zgjedhore. Siç mëson ALSAT, deri tani ky proces ka përfunduar në Saraj, ndërkohë që në fazë finale është edhe në Çair, Kërçovë, e Gostivar. Në Çair, burimet partiake, konfirmojnë se ish-kryetari i komunës, Izet Mexhiti gëzon mbështetjen më të madhe të nëndegëve të kësaj komune dhe sipas të gjitha gjasave në kuvendin e së dielës, do të jetë kandidati i vetëm për të kryesuar me partinë në këtë degë. Alsat po ashtu mëson se në Kërçovë, kandidat serioz për të kryesuar me partinë do të jetë femër. Ndërsa në Gostivar, zgjedhjet për degën kanë ngjallur përsëri apetitet tek ish-kryetari Nevzat Bejta i cili mund të garojë, në rast të kërkesës nga anëtarësia lokale e partisë. I pyetur nga ALSAT, Bejta ka thënë se procesi zgjedhor brenda partiak është demokratik, ndërsa kryetarët e degëve nga ky proces, do të zgjidhet me vendim të anëtarëve të degës dhe pëlqimin e kryetarit Ali Ahmeti. Sekretari organizativ i partisë, Artan Grubi, thotë se shumica e kryetarëve të degëve do të jenë figura të reja.
Në Saraj kemi kryetar të ri të degës, dhe në Çair do të kemi një kryetar të ri të degës. Vlerësoj se edhe në Strugë mund të kemi një kryetar të ri të degës, në Kërçovë do të kemi kryetar të ri të degës së Kërçovës. Sipas trendëve të cilat unë po i shoh gjithashtu në Dibër në Tetovë dhe në degë të tjera e shoh një entuziazëm tek rinia, tek strukturat e reja të BDI-së që janë rritur aty nga 2002 deri më sot dhe kanë dëshirën që të marrin përgjegjësinë e vetë”-tha Artan Grubi, sekretar organizativ i BDI-së.
Megjithatë, nga BDI-ja nuk komentojnë qëndrimin e mëhershëm se krerët e vjetër të degëve të BDI-së do të organizonin dhe koordinonin vetëm zgjedhjet e brendshme, por nuk do të marrin më këtë detyrë. Pas përfundimit të zgjedhjeve të brendshme partiake, BDI-ja ka caktuar kongresin i cili do të duhet të mbahet në pjesën e dytë të muajit nëntor. Sipas informatave, ky është kongresi i 4-të zgjedhor i partisë.