BDI: Krizës shëndetësore mos i shtojmë edhe krizë politike

Konferencë për shtyp e Bujar Osmanit:
Të nderuar përfaqësues të mediave, të nderuar qytetarë,

Marketing

Siç e dini, mbrëmë përfundoi edhe dita e fundit e gjendjes së
jashtëzakonshme, që ishte kushti themelor për ngrirjen e aktiviteteve
zgjedhore në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Por më lejoni
të jem më i saktë – me përfundimin zyrtar të gjendjes së
jashtëzakonshme, për fat të keq, ne po hyjmë në një gjendje edhe më të
madhe të jashtëzakonshme politike, që kërcënon të përshkallëzohet në një
krizë politike që të paktën në këtë moment absolutisht nuk është e
nevojshme!

Të filloj me radhë:

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk janë planifikuar tani, por qysh në
vitin e kaluar, kur me konsensus politik u caktua 12 prilli si datë e
përshtatshme për të gjithë faktorët politikë. Ndërkohë, papritur ne u
ballafaquam me një krizë të thellë epidemiologjike dhe shëndetësore të
quajtur COVID19, e cila solli me vete pasoja të thella sociale dhe
ekonomike që duheshin adresuar urgjentisht.

Përsëri me një konsensus të
gjerë, dhe përmes gjendjes së jashtëzakonshme të Presidentit
Pendarovski, Qeverisë iu dhanë kompetenca të mëdha, kompetenca që sipas
Kushtetutës i përkasin Kuvendit, për ta përgatitur vendin për ballafaqim
me ato pasoja. Atë e bëmë në mënyrën më të mirë që dinim dhe që mund ta
bënim, e bëmë në mënyrë transparente, kështu që qytetarët do të kenë
mundësi që në zgjedhjet e ardhshme, mes tjerash, të japin vlerësim edhe
për këtë punë tonën. Ky është thelbi i demokracisë dhe i garës
politike.

Por sot po përballemi me një sfidë të re – si ta rrumbullakojmë këtë
situatë të panatyrshme, pa shkaktuar një krizë të re politike, të cilën,
përsëris se vërtet nuk e kemi të nevojshme! Fundi i gjendjes së
jashtëzakonshme nuk do të thotë edhe fund i kërcënimit të epidemisë dhe
i nevojës për tu ballafaquar në mënyrë efektive me pasojat e pandemisë,
por përkundrazi, kemi nevojë për një qeveri të qëndrueshme dhe të
përgjegjshme, dhe një shumicë politike që do të marrë plotësisht
përgjegjësinë për të gjitha sfidat që qëndrojnë para nesh.

Ndaj, më lejoni të theksoj – zgjedhjet sot i kemi shumë më shumë të
nevojshme, se sa në dhjetor të vitit të kaluar, kur me konsensus
vendosëm që të kemi zgjedhje të parakohshme!

Por njëkohësisht, zgjedhjet kanë kuptim vetëm nëse qytetarët me të
vërtetë kanë zgjedhje për të zgjedhur përfaqësuesit që do t’i
përfaqësojnë në Parlament. Demokracia nuk njeh garë politike në të cilën
ju garoni vetë. Pa pjesëmarrjen e faktorëve përkatës politik, zgjedhjet
në këto kushte do të jenë thjesht një krizë e re politike, e cila tek
ne, më tej, sipas ndonjë rregulli, shndërrohet në një krizë
institucionale, dhe më pas bëhet kërcënim për një krizë të mundshme
sigurie. Do të ishte jashtëzakonisht e papërgjegjshme ta lejojmë këtë.
Të nderuar, Republika e Maqedonisë së Veriut, jo vetëm që po qëndron
para sfidës së ballafaqimit me pandeminë, por edhe para fillimit të
shumëpritur të negociatave, që pritet të fillojnë diku para fundit të
këtij viti. Për momentin, ato paraqesin prioritetin më të madh dhe më të
rëndësishëm strategjik të vendit, për çka gjithsesi, të paktën në mënyrë
deklarative, kemi formuar konsensus. Nuk ka asgjë të zgjuar në atë që,
projektin më të rëndësishëm për qytetarët të rrezikojë, vetëm për shkak
të papjekurisë politike, për shkak të dinakërive politike dhe taktikave
partiake, duke i vendosur interesat partiake përpara atyre strategjike.
Dua të paralajmëroj për pasojat e këtij jo-serioziteti politik, sepse
akoma ka mundësi, ka mënyrë, që të mos u përgatisim qytetarëve dhe
vendit një paqëndrueshmëri të re politike, në një kohë kur pikërisht
stabiliteti është arma jonë më e fortë.
Pres që sot të gjithë faktorët politikë të tregojnë qëndrimet dhe
propozimet e tyre se si ata mendojnë se duhet t’i japim fund kësaj
situate të jashtëzakonshme, por edhe t’u bëj thirrje liderëve politikë
që t’i ngrijnë taktikat e zgjedhjeve dhe t’i japin prioritet
seriozitetit në të cilin gjendemi. Dhe, pavarësisht nga fakti se
përgjegjësia për këtë dështim eventual është tërësisht e jona, vendase,
unë dua që tua bëj këtë thirrje edhe miqve tanë ndërkombëtarë. Këtu para
së gjithash mendoj në partnerët tanë strategjik, ShBA-të, si dhe aleatët
tanë të drejtpërdrejtë, Bashkimin Evropian – ndikimi i të cilëve, dhe
mbi të gjitha autoriteti i tyre mes qytetarëve, mund të jetë
jashtëzakonisht i dobishëm që të mos lejojmë një krize të re politike.