BDI: Liria e medias është shtyllë themelore e shtetit ligjor

Rënia e vendit për gjashtë pozita në Indeksin më të fundit për Lirinë e Medias të “Reporterëve pa Kufij” për vitin 2025 përbën një tregues serioz për prirjet negative në qeverisjen demokratike dhe raportin me mendimin kritik në vend.
Analiza e detajuar nxjerr në pah dobësi të mëdha – nga konteksti politik dhe korniza ligjore, deri te presionet ekonomike dhe siguria e gazetarëve.

Ajo që shqetëson më shumë është se raporti identifikon qartë ekzistencën e disa sistemeve mediatike paralele, të lidhura drejtpërdrejt me qendra politike dhe ekonomike të pushtetit, të cilat ndikojnë në politikën redaktuese dhe minojnë besimin e qytetarëve.

Në vend që të garantojë pavarësinë institucionale, Qeveria ka zgjedhur ta thellojë klientelizmin përmes mekanizmave të rinj ndikimi, përfshirë edhe reklamimin e institucioneve publike në media private – çka risjell në vëmendje çështjen e transparencës dhe trajtimit të drejtë të sektorit mediatik.

BDI e rikujton Qeverinë se qëndrimi ndaj mediave është pasqyrë e drejtpërdrejtë e pjekurisë së një demokracie.

Në vend të mbështetjes selektive dhe qasjeve redaktuese të përshtatshme politikisht, është e domosdoshme të mbështeten standardet profesionale, pavarësia e shërbimit publik, mbrojtja e gazetarëve dhe gatishmëria institucionale për t’iu përgjigjur raportimit kritik me llogaridhënie, e jo me presione.

BDI mbetet e palëkundur në qëndrimin se liria e medias është një shtyllë themelore e shtetit ligjor dhe do të mbështesë çdo proces që çon drejt transparencës mediatike, pluralizmit dhe profesionalizimit, në përputhje me standardet evropiane drejt të cilave synojmë.

Marketing