BDI: Miratohet edhe pako 6-të ekonomike, jemi pranë qytetarëve

Bashkimi Demokratik për Integrim përshëndet miratimin e pakos së gjashtë
të masave ekonomike të cilat sot kaluan filtrat e Qeverisë.

Marketing

Duke pasur parasysh situatën dhe vazhdimësinë e ndikimit të krizës së
shkaktuar nga COVID-19, ne vazhdimisht kemi ndjekur nga afër parametrat
ekonomike, por gjithashtu edhe përmes konsultimeve me të gjithë aktorët
në shoqëri bashkë vlerësuam se vendit i nevojitet miratimi i edhe një
pakoje ekonomike, përkatësisht pakos së gjashtë me qëllim përballimin
dhe tejkalimin sa më të lehtë të krizës.

Bashkimi Demokratik për Integrim si parti politike përkrah të gjitha
nismat ligjore dhe projektet që janë në interes të qytetarëve përfshirë
këtu edhe miratimin e pakos së gjashtë të masave ekonomike të cilat kanë
për synim përkrahjen e kompanive që u mbyllën tërësisht me qëllim të
parandalimit të përhapjes së COVID-19 gjatë muajit Prill të këtij viti
si dhe për të përmirësuar likuiditetin e kompanive që do investojnë
gjatë vitit 2021.

Na gëzon fakti që me pakon e gjashtë të masave ekonomike do të jepen
kredi për përkrahje financiare të subjekteve të fushës radiotelevizive
në mënyrë që të ndihmojmë në uljen e pasojave të shkaktuara nga
COVID-19. Gjithashtu do të mbështetet likuiditeti i kompanive që
riinvestuan fitimet e tyre për vitin 2019, do të përkrahen financiarisht
rreth 6.000 kompani apo objekte gastronomike të regjistruara me kodet
prioritare të punës: 56.10, 56.29, 56.30.

Me këtë pako ekonomike kemi siguruar edhe përkrahje financiare për
restorantet e dasmave, industrinë e eventeve, këndet e lojërave, qendrat
e fitnesit, klubet e natës dhe agjencitë turistike, pa harruar edhe
mbështetjen financiare për estradën (786 muzikant, persona fizik) dhe
ciceronët turistik (110, persona fizik).

Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se me miratimin e pesë pakove
ekonomike nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut por edhe me
realizimin e pakos së gjashtë që sot kaloi në Qeveri po përkrahim
ekonominë e vendit por edhe qytetarët tanë të prekur drejt për drejtë
nga kriza e shkaktuar COVID-19.

Politikat tona kanë për qëllim që të mundësojnë rimëkëmbjen e ekonomisë
dhe kthimin e ritmeve të rritjes ekonomike në intervalin prej 4-5% në
kushte të COVID-19.