BDI: Misioni, vlerat dhe prioritetet tona

Kongresi i katërt zgjedhor i Bashkimit Demokratik për Integrim në frymën e deklaratës themeluese të Bashkimit Demokratik për Integrim nga 5 qershori i vitit 2002, Marrëveshjes Paqësore të Ohrit dhe të udhëhequr nga idealet e Rilindasve shqiptar dhe amaneti i Ushtrisë Clirimtare Kombëtare:

Marketing

Konfirmon vlerat tona thelbësore si demokracia, liria, barazia, paqa dhe drejtësia si vlera që bashkarisht përbëjnë themelin e ndërtimit të një shoqërie progresive e cila ka demokracinë si parakusht,

Vlerëson si të suksesshme veprimtarinë e derisotme largpamëse dhe konsistente të Bashkimit Demokratik për Integrim të kalitur me shpirtin revolucionar, politikën burrështetase dhe reformat progresive,

Rikonfirmon se Bashkimi Demokratik për Integrim nuk është produkt i konjukturave, interesave apo fraksioneve, por është vazhdimësi e një lëvizjeje kryengritëse dhe patriotike ndër dekada, si dhe rezultat i mobilizimit të përgjithshëm atdhedashës, që imponoi ndryshime rrënjësore drejt barazisë, demokratizimit të vendit dhe integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian,

Riafirmon misionin e jetësimit të idealit për liri, barazi dhe drejtësi si garancia e vetme e paqes, sigurisë dhe stabilitetit, mirëqenies dhe zhvillimit të shpejtë e gjithëpërfshirës,

Nënvizon vlerat të cilat janë mishërim i traditës dhe kulturës tonë si: dinjiteti, ndershmëria, liria, barazia, të drejtat e njeriut, solidariteti dhe respekti në përputhje të plotë me vlerat euroamerikane.

Thekson parimet e suksesit të veprimtarisë politike dhe qeverisjes në vendin tonë shumetnik: legjitimiteti, partneriteti, demokracia, sundimi i ligjit, konsensusi, transparenca, konzistenca dhe llogaridhënia,

Rrjedhimisht, Delegatët e Kongresit konfirmojnë përkushtimin e angazhimit për liri dhe të drejta njerëzore, integrim konsensual, zhvillim të qëndrueshëm, rritje ekonomike si dhe vende të reja pune, drejtësi sociale, jetesë cilësore, mirëqenie, por edhe një shoqëri ku individët përpiqën së bashku për të mirën e përbashkët dhe ku rinia zë vendin e parë.

Delegatët vlerësojnë që demokracia pluraliste, transparente, përfaqësuese e diversiteteve dhe njëkohësisht pjesëmarrëse, me liri të shprehjes dhe me media të pavarura duhet të ngadhnjejë në të gjitha fushat e jetës në mënyrë që t’i mundësojë qytetarëve vendimmarjën për të mirën dhe interesin e përbashkët, duke promovuar drejtësi dhe solidaritet në shoqëri, nëpërmjet të qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit, luftës së pa kompromis kundër korupsionit dhe krimit të organizuar, llogaridhënies dhe transparencës.

Më pastaj, synojmë qasje gjithëpërfshirëse në ndërtimin e politikave që integrojnë konsensualisht të gjitha nivelet e qeverisjes duke mundësuar një vend, rajon dhe kontinent solidar midis njerëzve dhe vendeve.

Garantojmë përpjekje maksimale për mirëqenie qytetare duke siguruar progres social nëpërmjet të përfshirjes së çdo njëriu dhe çdo vendbanimi.

Kjo shoqëri, të cilën synojmë ta ndërtojmë mbi vlerat tona, nënkupton edhe një ekonomi e cila i përfaqëson ato dhe që nxit progres shoqëror për rritje të standardit jetësor, për jetesë cilësore, për mundësi të barabarta, për investime dhe për vende pune të reja.

Synojmë një ekonomi konkurruese, investime dhe novacione teknologjike që përshpejtojnë rritjen dhe zhvillimin, si dhe biznes të integruar në tregun rajonal, evropian dhe global, i shkathët të përballet me konkurrencën dhe sfidat e globalizmit

Përqëndrohemi në përgaditjen e ekonomisë dhe industrisë sonë për tranzicionin ambiental, për zhvillimin e tërësishëm dixhital, ndërtimin e E-shtetit dhe për drejtësi dhe transparencë tatimore duke kundërshtuar evazionin, shmangien por edhe pa-parashikueshmërinë tatimore.

Vlerësojmë patjetërsueshmërinë e qasjes universale ndaj ajrit të pastërt, ujit të pastërt, energjisë së pastërt dhe ushqimit cilësor.

Po ndërtojmë politika për t’i ruajtur burimet e vendit dhe ambientin duke krijuar qëndrueshmërinë ambientale për t’a ruajtur të tashmën por edhe për t’a siguruar për gjeneratat e ardhshme, duke u përkujdesur për të moshuarit dhe duke investuar tek të rinjtë.

Angazhohemi për një shoqëri të fuqishme, të barabartë, të drejtë që garanton qasje të sigurtë shtetërore dhe pa kompensim në arsim dhe shëndetësi cilësore, ndarje të barabartë të begatisë, zhvillim të barabartë rajonal, eliminim të varfërisë, jetë dinjitoze dhe përgjegjësi kolektive që rrjedh nga bindja jonë që vetëm bashkë jemi më të fortë, vetëm bashkë jemi më mirë.

Përqafojmë ndjenjën e përkatësisë nëpërmjet të përfshirjes të të gjithëve duke kundërshtuar përjashtimet e të tjerëve në një shoqëri kohezive dhe inkluzive ku shoqëria pranon vlerat individuale e kolektive dhe përqafon diversitetin dhe barazinë gjinore.

Pabarazia duhet të c’rrënjoset dhe përqëndrimi nga të paktët duhet të bëhet tek të shumtët duke ndërtuar shoqëri të mirëqenies, me shërbime publike dhe institucione të përgjegjshme dhe cilësore, me arsim, shëndetësi, rroga dhe pensione dinjitoze duke u përkujdesur për të gjitha kategoritë e shoqërisë.

Kongresi përsërit se vota e shqiptarëve kapitalizohet vetëm nëse është e përqëndruar, ndërsa ndarja e potencialit votues shqiptar në më shumë parti e dëmton balancin midis peshës demografike dhe peshës politike të shqipëtarëve, gjegjësisht, dobëson pozitat shqiptare në pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv si dhe rrezikon pushtetin vendor në komuna të caktuara.

Përkushtohemi që politikat tona t’i ndërtojmë në bashkëpunim dhe partneritet me shoqërinë civile, kontribuesit shoqëror, botën akademike, mediat, sindikatet, komunitetin euroamerikan dhe me të gjithë ata që ndajnë vlerat dhe përcaktimet tona.

Përfundimisht, demokracia është vlerë themeluese dhe busollë orientuese e Bashkimit Demokratik për Integrim. Përkushtohemi të mbrojmë dhe përmirësojmë demokracinë, të mbetemi në kursin euroamerikan pa asnjë alternativë tjetër, t’ë garantojmë pakthyeshmërinë e marrëveshjeve të Ohrit, Prespës dhe të fqinjësisë së mirë bashkë me ndryshimet kushtetuese, të zbatojmë sundim të drejtë të ligjit nëpërmjet të vetingut të tërësishëm të skenës politike, gjykatës dhe prokurorisë, të eliminojmë drejtësinë selektive, të krijojmë vende të reja pune dhe ndarje të barabartë, të mundësojmë një jetë cilësore me të gjitha elementet përcjellëse duke krijuar kështu kushte më të mira për të gjithë, si dhe rinia të ndërton të ardhmën dhe familjen e vet në vendin e vet,

Vizioni ynë është barazi e plotë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe jetë cilësore sipas standardeve më të larta duke qenë anëtarë në NATO-s dhe Bashkimin Evropian. Ne duam të shohim vendin dhe qytetarët tanë të barabartë dhe me jetë dinjitoze në familjen Euro-Atlantike.