BDI: Ofendim i rëndë nga qeveria pa legjitimitet – njeriu i Putinit dhe mohuesi i Srebrenicës i ftuar nderi në ministrinë e Marrëveshjes së Ohrit!

Mbrëmë, çdo shqiptar dhe çdo qytetar me dinjitet në këtë vend u ndje i fyer, i poshtëruar dhe i tradhtuar.

Marketing

Në një akt që tejkalon çdo kufi morali dhe logjike politike, në ndërtesën që supozohet të simbolizojë Marrëveshjen e Ohrit dhe harmoninë ndëretnike, u pranua dhe u nderua Miroslav Dodik – krahu i zgjatur i Vladimir Putinit, njeriu që punon për ndarjen e Bosnjë dhe Hercegovinës, dhe njeriu që lavdëron masakrën çnjerëzore të Srebrenicës.

Si është e mundur që njeriu i izoluar nga bota demokratike, që mbjell përçarje dhe urrejtje, të mirëpritet në mënyrë zyrtare nga një qeveri që pretendon se përfaqëson vlerat euroatlantike dhe paqen ndëretnike?

Çfarë mesazhi po dërgon kjo qeveri tek qytetarët shqiptarë, tek familjet e viktimave të gjenocideve, tek ata që ende besojnë në drejtësi dhe dinjitet?

Ky akt është një goditje e rëndë për Marrëveshjen e Ohrit.

Prania e Dodikut aty është një shuplakë për viktimat e Srebrenicës, për shqiptarët dhe për çdo qytetar që beson në lirinë dhe barazinë.

Është një mesazh që tregon se kjo qeveri përveç që pa legjitimitet, ka humbur edhe çdo ndjenjë respekti ndaj historisë dhe sakrificave tona.

Kjo është dita kur të gjithë ne u ndjemë të ofenduar.

Sot, të gjithë jemi të turpëruar. Dhe sot, të gjithë e kuptuam se ky pushtet ka shkelur çdo vijë të kuqe.

Ky turp nuk duhet të harrohet kurrë.

Ky është momenti kur duhet t’i kujtojmë vetes se dinjiteti nuk blihet dhe historia nuk falet.

Për ata që besojnë se mund të luajnë me ndjenjat dhe vlerat tona: e keni gabim.

Kjo do të mbahet mend dhe ne nuk do të ndalemi derisa të rikthejmë dinjitetin që sot u shkërmoq para syve tanë.

Sot, çdo shqiptar dhe çdo qytetar i ndershëm i këtij vendi neveritet nga kjo tradhëti ndaj vlerave dhe përcaktimeve tona si shoqëri