Bashkimi Demokratik për Integrim sot ka prezantuar programin e saj për
zgjedhjet lokale në qytetin e Gostivarit.
Kryetari i Degës së BDI-së në Gostivar, Bashkim Hasani në konferencën e
sotme për shtyp numëroi projektet që janë pjesë përbërëse e këtij
programi dhe deklaroi se ajo është përpiluar në bashkëpunim me shoqërinë
civile dhe qytetarët.
Sipas Hasanit, platforma është pasqyrim objektiv i nevojave të
qytetarëve që presin ndryshimin. Në të parashihen projekte të cilat do
të jenë zgjidhje e problemeve me të cilat ballafaqohen qytetarët e
Gostivarit dhe që kanë në fokus jetën cilësore, zhvillimin
infrastrukturor, arsim cilësor, krijimin e një ambienti të pastër dhe
një vendi të sigurtë për të gjithë.
Ndryshe sot në Gostivar BDI do të mbajë Tubim zgjedhor ku do të
prezantojë kandidatët për kryetarë komune dhe këshilltarë komunal.
Në vazhdim fjalimi integral:
Të nderuar qytetarë,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Sot edhe zyrtarisht ka filluar fushata për zgjedhjet lokale 2021.
Bashkimi Demokratik për Integrim fushatën do ta fillojë pikërisht nga
qyteti i Gostivarit ku do të prezantojë kandidatët për kryetar komunash
dhe këshilla komunal.
Të nderuar,
Sot para Jush do të prezantojmë Platformën Zgjedhore të BDI-së për
Komunën e Gostivarit. Në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe duke
dëgjuar zërin e qytetarëve kemi përgatitur Platformën që parasheh
zgjidhje të të gjitha problemeve me të cilat ballafaqohen qytetarët e
Gostivarit, të cilat probleme nuk ka arritur ti zgjidh qeverisja e
deritanishëm e komunës në krye me kryetarin Taravari.
Bashkë me Nevzat Bejtën si kandidat, pas 17 Tetorit do të fillojmë
rrugëtimin e përbashkët për një qytet të pastër, të sigurtë për
banorët dhe fëmijët e tyre, për infrastrukturë publike moderne,
sportive, ambiente rekreative dhe arsim cilësor.
Është koha të ngrihemi për Gostivarin, të ndalojmë kaosin, ta çlirojmë
qytetin nga qentë endacak, ta shëndrrojmë deponinë Rusino në një deponi
të sigurtë e të rregulltë dhe të largojmë kazinot nga qendra e qytetit.
Pikësynimet kryesore të Bashkimit Demokratik për Integrim për Gostivarin
janë :
-më shumë gjelbërim dhe ndërtim të pjesës së pazhvilluar të parkut
– shtigje të reja vrapimi dhe ciklizmi
-pastrimi i qytetit nga mbeturinat dhe ndotja duke pasur në fokus të
punës rregullimin e deponisë Rusino sipas të gjitha standardeve
ekologjike
-ndërtimi i një qendre të posaçme dhe moderne për strehimin dhe
trajtimin e qenve endacak.
-kazinot dhe lojërat e fatit do ti zhvendosim nga vendbanimet dhe lagjet
tona.
Katër vitet e ardhshme do të jenë vitet e realizimit të shumë projekteve
për një infrastrukturë moderne si: tre parkingje nëntokësore, ashtu
si dhe ndërtimi i urës së re që do mundësojë lidhje me
autostradën rajonale – e ndërtuar bashkë me ekspertët gjatë planifikimit
urbanistik. Do të zgjidhim problemin e parkingut e do të sjellim rend në
qarkullimin e trafikut.
Furnizimi me ujë të pijshëm dhe sistem modern kanalizimesh për të gjithë
qytetarët nëpër fshatra dhe lagje është gjithashtu pjesë e rëndësishme e
planit tonë, bashkë me shkolla të reja e moderne, ku fëmijët tanë do të
gjejnë sistemin arsimor që meritojnë.
-Një stadium i ri multifunksional për sporte e hapësira kreative për
qytetin dhe fshatrat përreth, parqe të reja dhe zona të gjelbra, do t’a
bëjnë Gostivarin një qytet ku ja vlen të jetohet, për të rinj e
familjarë.
-Vendosja e sistemeve të ngrohjes ekologjikе, gazifikim në cdo
vendbanim, përqëndrimi në energjinë diellore, si edhe implementimi i
transportit publik të premtuar prej kohe do të kursejnë para për
qytetarët tanë dhe do t’a transformojnë Gostivarin në një Komunë të
blertë me ajër të pastër.
– Administratë elektronike dhe shërbime digjitale janë qëllimet tona për
shërbim më efikas ndaj nevojave të qytetarëve.
-Për të rinjtë do të krijohen programe dhe do të jepen grante për
realizimin e projekteve
– Gostivari do të jetë e-komunë me shkolla të digjitalizuara dhe
internet të shpejtë dhe të lirë
BDI me ekipin e ri të qytetarëve plot motivim, me plan ambicioz për
Gostivarin, me Nevzat Bejtën është garancia e përmbushjes së planit: Për
një Gostivar më të mire, më modern për të gjithë ne!
Zgjidh jetë, Voto blertë!